Connect with us

Aktualitet

Rama urdhëroi pezullimin e AKU-së/ Të gjithë inspektorët në vetting

“Duhet menjëherë të pezullohet veprimtaria e AKU-së. AKU duhet ndaluar me urgjencë pasi më shumë se sa mirë bën dëm”, thotë kryeministri Edi Rama.

Porosia e Kryeministrit Rama u zbatua.  Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj,  doli para  kamerave për të njoftuar se nga sot janë pezulluar inspektoret e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Duke marrë në konsideratë një rritje të ndjeshme të ankesave të subjekteve të lidhura me ushqimin, subjekteve të tregtimit të produkteve ushqimore dhe qasjen dhe sjelljen në bazë të këtyre ankesave të trupës inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, adresimin e praktikave abuzive në përmbushje dhe kryerjen e detyrave inspektuese, kam urdhëruar pezullimin e ushtrimit të aktivitetit të inspektimeve pa planifikim paraprak dhe atyre të pamiratuara.”, shprehet Anila Denaj.

Një komision i posaçëm, në përbërjen e të cilit do të jenë pesë anëtarë do të ngrihet për të kaluar në sitë jo vetëm trupën aktuale, por edhe inspektorët e rinj.

Komisioni do të vlerësojë në formë të shkruar dhe me gojë inspektorët e AKU-së. Aplikantët e rinj, të cilët do t’i bashkohen kësaj trupe, do të jenë gjithashtu fokus i veprimtarisë së këtij komisioni për të sjellë në këtë institucion një frymë të re, një qasje të re dhe mbi të gjitha, një etikë të re.”, shprehet më tej Denaj.

Vendimi i qeverise për të pezulluar inspektoreve të  AKU-së erdhi pas rritjes se  ankesave  lidhur me  sigurinë ushqimore.

Advertisement