Shkrime
Amerikanët janë kudo/ Media italiane: Ishulli Sazanit, Meka e re e turizmit ultra luksoz

Investimi i Trump, turizëm luksi për të huajt, në vitet e ardhshme do të sjellë zhvendosje të vendasve
Nga Antonio Leggieri, Il Fatto Quotidiano
Sipas The Guardian, Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner kanë ndërmend të shndërrojnë ishullin e Sazanit në një destinacion të ri të turizmit ultra-luksoz.
Kemi një problem me Amerikën. Disa mund të thonë se, veçanërisht në këtë moment historik, problemet janë më shumë se një. Por unë merrem me udhëtime, ndaj do të përqendrohem te sektori im. Problemi – që e konsideroj serioz dhe, për fat të keq, pa një zgjidhje në horizont – është ky: turizmi amerikan po i rrit ndjeshëm çmimet në shumë qytete të botës.
Nuk ka nevojë të jesh ekonomist i diplomuar në Cambridge për ta kuptuar arsyen: pavarësisht inflacionit galopant që u ka cenuar fuqinë blerëse vitet e fundit, pagat e amerikanëve – sidomos të atyre që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Lindor, pra dhjetëra miliona njerëz – janë dukshëm më të larta se pagat në vendet që ata vizitojnë çdo vit.
Kjo diferencë në të ardhura krijon një efekt që mund të quhet “gentrifikim[ii] turistik”: kur turistë nga ekonomi me të ardhura më të larta, si ajo amerikane, pushtojnë destinacione të caktuara, ata janë të gatshëm të paguajnë çmime më të larta për akomodim, restorante dhe shërbime. Operatorët vendas, si pasojë, rrisin çmimet për të maksimizuar fitimet, duke e bërë përvojën të paarritshme ose më pak të përballueshme për turistët nga vende me të ardhura më të ulëta – dhe, në shumë raste, edhe për vetë banorët vendas.
Në 15 vitet e fundit kam vizituar 60 shtete dhe kam vënë re se amerikanët janë kudo. Megjithatë, ata kanë disa destinacione të preferuara: Meksikën, Karaibet (Costa Rica është kthyer në një enklavë të tyre), Japoninë, Tajlandën dhe shumë vende evropiane, përfshirë Anglinë, Spanjën, Francën dhe Italinë. Vendi ynë ndodhet në top 3 të preferencave të yankee-ve: rritjet e kostos së jetesës në qytete si Milano, Roma dhe Venecia – kjo e fundit e “monopolizuar” së fundmi nga Jeff Bezos dhe bashkëshortja – janë dëshmi e qartë. Sigurisht, jo çdo faj bie mbi turistët amerikanë dhe pagat e tyre të larta. Si gjithmonë, politika është bashkëfajtore kryesore në këtë proces të turistifikimit.
Në qytetin ku jetoj, Bologna, e majta e “kaviarit” është protagoniste e një sërë vendimesh që u kanë mbyllur derën qytetarëve të zakonshëm dhe kanë hapur portat për investitorët e pasur, të cilët synojnë ta bëjnë qytetin më tërheqës – por vetëm për ata që e vizitojnë dhe shpenzojnë për mallra dhe shërbime. Për ta thënë me një shprehje tipike amerikane: Talk left, live right.
Tani le të kthehemi tek ne. Kam frikë se, brenda pak vitesh, një tjetër destinacion – gjeografikisht shumë pranë Italisë – do të përfundojë në vorbullën e destinacioneve të mbingarkuara nga turizmi. Po flas, për ata që ende nuk e kanë kuptuar, për Shqipërinë. Zërat që qarkullonin prej kohësh mbi interesin e Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj Jared Kushner për ishullin e Sazanit, në gjirin e Vlorës, më në fund janë konfirmuar.
Sipas The Guardian, vajza e Donald Trump dhe sipërmarrësi i pasurive të paluajtshme nga New Jersey kanë ndërmend – sapo të përfundojë pastrimi i zonës nga municionet e pashpërthyera, pasi Sazani u përdor për dekada nga regjimi si zonë ushtarake – ta shndërrojnë ishullin në një “mekë” të re të turizmit ultra-luksoz. Investimi, që kap shifrën e rreth një miliard dollarëve, do t’i shtohet portofolit të pasurive të paluajtshme të çiftit që përfaqëson më qartë se kushdo turbokapitalizmin neosionist në stilin trumpian.
Kështu, ndërsa Leonardo DiCaprio ka blerë së fundmi ishullin Guafo në Kili për ta mbrojtur nga shfrytëzimi minerar dhe shpyllëzimi, Sazani është gati të rikthehet si një parajsë ekskluzive për të pasurit, ndërkohë që e gjithë Shqipëria rrezikon të shndërrohet në laboratorin e radhës të një gentrifikimi të maskuar si zhvillim turistik.
E kam thënë më parë: politika ka gjithmonë një pjesë të madhe të fajit. Sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, “Shqipërisë i duhet turizmi i luksit siç i duhet shkretëtirës uji”. Por Rama nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se ardhja e kapitalit sjell gjithmonë me vete inflacion: në vitet e ardhshme, investimi i Trump dhe bashkëshortes së tij do të shkaktojë një zhvendosje të ngadaltë, por të pandalshme të shumë banorëve nga rrethi i Vlorës, të shtyrë drejt periferisë nga një ekonomi që favorizon vetëm ata që mund të blejnë, të ndërtojnë apo të spekulojnë.
Sipas revistës Monitor, në vitin 2024 në Shqipëri është shënuar një rritje mesatare e çmimeve të strukturave akomoduese me 25–30 për qind. Rritjet më të mëdha janë regjistruar në jug – nga Vlora, qyteti kryesor i rrethit me të njëjtin emër, deri në Ksamil e Sarandë: nëse në vitin 2023 mund të rezervoje një hotel në qendër të Vlorës me 40–50 euro nata, sot – mjafton një kërkim në Booking.com – është e vështirë të gjesh diçka nën 70–90 euro, edhe për struktura të kategorisë së mesme. Dhe nuk është aspak e rrallë që çmimet të kalojnë edhe 200 euro nata për hotele me pamje nga deti.
Dua ta theksoj, në përfundim, se amerikanët nuk janë të vetmit turistë që shkaktojnë këtë dinamikë. Gjermanët, për shembull, janë bërë indirekt përgjegjës për rritjen e madhe të çmimeve në Kroaci gjatë 10–15 viteve të fundit: shumë italianë – pasi fuqia jonë blerëse është ndjeshëm më e ulët krahasuar me atë të gjermanëve, amerikanëve, anglezëve dhe shpesh madje edhe me atë të spanjollëve e “kushërinjve” francezë – nuk kanë pasur zgjidhje tjetër veçse ta përjashtojnë Kroacinë nga lista e destinacioneve të preferuara.
Një nga vendet e fundit pranë nesh dhe me çmime të përballueshme ishte Shqipëria. Mjafton pak kohë që dinamika e turizmit ndërkombëtar të ndjekë rrjedhën e vet, dhe pastaj – me rrogat tona modeste – nuk do të mund të shkojmë dot me pushime as te ata që deri dje i konsideronim “fqinjtë e varfër”.

