Bota
Shpërthim në qendrën e trajnimit të Policisë në Los Angeles, raportohet për tre të vdekur

Një ngjarje tragjike ndodhi këtë të premte në mëngjes në Los Angeles, ku të paktën tre persona humbën jetën si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një qendër trajnimi të policisë.
Shpërthimi ndodhi në Eugene Biscailuz Center Academy Training, vetëm pak kilometra larg qendrës së qytetit Los Angeles.
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, reagoi në rrjetet sociale duke e quajtur incidentin një ngjarje të tmerrshme, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të luten për familjet e viktimave, që besohet të jenë pjesëtarë të forcave të rendit.
Ndërkohë, Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, po ndjek nga afër zhvillimet, raporton NBC News.
Ekipet e emergjencës dhe agjentë federalë ndodhen në vendngjarje, ku hetimet vijojnë, ndërsa komuniteti lokal është tronditur nga kjo ngjarje e rëndë.

