Kronike
Produkteve të skaduara u ndërronin datën dhe i hidhnin sërish në treg, arrestohen pronari dhe magazinieri në Vorë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria Ushqimore”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 7.
Zbulohet në Vorë një magazinë ku falsifikoheshin etiketat e produkteve ushqimore të skaduara, të cilat më pas hidheshin sërish në treg.
Arrestohen në flagrancë administratori i magazinës dhe magazinieri. Procedohen penalisht ortaku dhe shoferi i magazinës.
Në kuadër të planit të masave për kontrollet në magazina, dyqane dhe supermarkete, me qëllim parandalimin e tregtimit të produkteve ushqimore të skaduara, u finalizua operacioni “Siguria Ushqimore”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit F. D., 38 vjeç, administrator i subjektit dhe A. D., 58 vjeç, magazinier.
U proceduan penalisht shtetasit S. T., 56 vjeç, ortaku i subjektit dhe A. D., 36 vjeç, shofer i magazinës.
Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhera kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me sigurinë ushqimore në numrin pa pagesë 112.

