Kosova
Isa Mustafa paralajmëron qeverinë ‘Kurti’: Askush s’mund të jetë njëkohësisht deputet dhe ministër

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kujtuar se gjatë mandatit të tij, në vitin 2017, kishte ndërmarrë veprime për të respektuar Kushtetutën, duke liruar nga detyra anëtarët e kabinetit qeveritar të cilët kishin fituar mandat si deputetë. Ky mesazh i tij duket se shërben si paralajmërim për qeverinë aktuale në detyrë, që të mos veprojë në shkelje të ligjit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Mustafa shpjegoi se në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore, në konsultim me Zyrën Ligjore të Kryeministrit, kishte liruar nga detyra një zëvendëskryeministër dhe tetë ministra. Qëllimi i këtij veprimi, sipas tij, ishte të shmangej shkelja e Kushtetutës.
Ai theksoi se vendimi i tij ishte në harmoni me nenin 72 të Kushtetutës dhe se zyrtarët e liruar në atë kohë kishin kërkuar vetë largimin nga pozitat ekzekutive për të respektuar mandatin e tyre të ri si deputetë.
“Qeveritarët e liruar nga detyra ishin: Ramiz Kelmendi, zëvendëskryeministër, ministrat; dr. Kujtim Shala, dr, Avdullah Hoti, dr. Enver Hoxhaj, dr, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, dr, Hykmete Bajrami, Arban Abrashi dhe Rasim Demiri. Këtë veprim nuk e ndërmorëm që të jemi shembull i zbatimit të Kushtetutës, por që të preventojmë të mos bëhemi shembull i shkeljes së saj.”, shkruan ish-kryeministri.
Mustafa shtoi se, edhe pse në atë kohë nuk ekzistonte Ligji për Qeverinë, norma kushtetuese nuk lejonte ushtrimin e njëkohshëm të pozicioneve ekzekutive dhe legjislative. Ai e cilësoi si të papranueshme që Qeveria në detyrë të qëndrojë në pushtet në shkelje të ligjit, duke paralajmëruar se veprime të tilla do të kishin pasoja ligjore individuale.

