Connect with us

Politike

BE hap sot rrugën për kapitullin e fundit të negociatave me vendin tonë, ja çfarë përfshin

Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së pritet që sot, më 23 korrik, të hapin dritën jeshile për vijimin e negociatave me vendin tonë për grupkapitullin të 5-të, i cili përfshin “Bujqësinë” dhe “Kohezionin”.

Referuar burimeve zyrtare nga Brukseli, raportohet se pas kësaj, presidenca daneze e BE-së do t’i kërkojë Shqipërisë përmes një letre zyrtare që të paraqesë pozicionin e saj negociues për konferencën e ardhshme ndërqeveritare, me qëllim hapjen e këtij grupkapitulli.

Ky është edhe grupkapitulli i fundit i negociatave të anëtarësimit për vendin tonë drejt BE-së. Të njëjtat burime deklaruan se konferenca e gjashtë ndërqeveritare do të mbahet në mesin e muajit shtator. Në këtë konferencë do të hapet grupkapitulli i katërt i negociatave, ai për Axhendën e Gjelbër dhe Lidhshmërinë e Qëndrueshme. BE-ja i ka kërkuar Shqipërisë që në muajin qershor të paraqesë pozicionin e saj negociues për këtë grup kapitujsh.

Grupkapitulli 4 përfshin: transportin, rrjetet trans-evropiane, përmirësimin e infrastrukturës rrugore asaj hekurudhore si dhe sigurinë. Po ashtu, trajtohen çështje që lidhen me sektorin e energjisë, mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.

Shqipëria synon që të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 si dhe anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030. Kryeministri Edi Rama ka premtuar anëtarësim të plotë të vendit në 2030.

Përmes “Shqipëria 2030”, Rama është zotuar të përfundojë negociatat e anëtarësimit në BE deri në vitin 2027 dhe të sigurojë anëtarësimin deri në fund të dekadës. Qeveria e Ramës ka reklamuar hapjen e 16 nga 35 kapitujve negociues që nga viti 2022.

Advertisement