Connect with us

Aktualitet

U dogj duke shpëtuar disa të moshuar në Vergo të Delvinës, komisari sillet në Tiranë për kurim

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, viziton në repartin e djegieve në QSUT Shefin e Komisariatit të Policisë Delvinë, Komisar Agim Troci, i cili pësoi djegie të shumta gjatë përpjekjeve për të shpëtuar disa të moshuar që nuk dilnin dot nga zona e zjarrit në fshatin Vergo të Delvinës.

Drejtori Proda është interesuar që në momentet e para për gjendjen e tij dhe ka ndjekur nga afër organizimin e transportimit me helikopter drejt Tiranës, menjëherë sapo është njoftuar për ngjarjen.

Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm është interesuar pranë stafit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Shefit të Komisariatit, duke i uruar atij shërim të shpejtë dhe e ka përgëzuar për aktin e tij të guximshëm dhe human. Po ashtu, ai ka vlerësuar të gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që sot kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar nga flakët shumë banorë pjesa më e madhe të moshuar, në fshatrat e Delvinës, si pasojë e një zjarri të madh të favorizuar nga era, që ka përfshirë shumë zona të banuara.

Nga QSUT, Drejtori Proda theksoi: Shefi i Komisariatit Agim Troci është shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës që mishëron një oficer i Policisë së Shtetit. Ai veproi me guxim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, për të mbrojtur jetën e të tjerëve. Dua të falënderoj të gjithë, përfshirë Nënkomisar Eridionin, i cili ka pësuar asfiksi dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin e Delvinës, si dhe gjithë punonjësit e Komisariatit të Policisë Delvinë që, nën drejtimin e Komisar Trocit, me përkushtim dhe guxim, mbështetur dhe nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, kanë shpëtuar dhjetëra jetë qytetarësh, duke bërë të mundur evakuimin nga banesat e tyre deri jashtë zonës së rrezikut. Edhe disa punonjës të tjerë kanë pësuar. Ky akt është një shembull frymëzues i përkushtimit dhe humanizmit të efektivëve në krye të detyrës.

Në zonën e përfshirë nga zjarri, në fshatrat Senicë, Vergo dhe Kopaçëz, vijon ndërhyrja intensive e shërbimeve të Zjarrfikëses, Emergjencës Civile, Policisë dhe Ushtrisë, për neutralizimin e vatrave dhe garantimin e sigurisë së banorëve. Policia e Shtetit ndodhet aty, në krah të qytetarëve. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela, ndodhet në zonë për menaxhimin e situatës.

Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht gjatë lëvizjes në zonat me bimësi të dendur dhe në ato të ekspozuara ndaj zjarreve. Çdo veprim i pakujdesshëm, si ndezja e zjarrit në natyrë, hedhja e cigareve apo djegia e mbeturinave, mund të sjellë pasoja të rënda për jetën dhe mjedisin. Policia po bashkëpunon me banorët dhe gjithë instancat e tjera shtetërore për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e zjarrvënieve në disa rrethe të vendit, ku në disa raste janë identifikuar dhe arrestuar në flagrancë./

Advertisement