Aktualitet
Zjarri në Parkun e Prespës, kryebashkiaku i Pustecit: Terren i vështirë

Një vatër zjarri që përfshiu një pjesë me bimësi të ulët në territorin e Parkut Kombëtar të Prespës në Pustec vazhdon të mbetet aktive për shkak të terrenit të thepisur dhe mungesës së rrugëve kaluese.
Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, tha se ndërhyrja ka qenë e menjëhershme që në momentin e parë të sinjalizimit, por thatësira dhe kushtet atmosferike kanë favorizuar përhapjen e flakëve.
“Në terren kanë qenë zjarrfikësit e bashkisë sonë, ata të Pogradecit, punonjës të shërbimeve publike dhe zona e mbrojtur. Jemi në koordinim për të vijuar ndërhyrjen në orët e para të mëngjesit, pasi specialistët vlerësojnë se do të jetë më efikase,” deklaroi Kolefski.
Ai sqaroi se sipërfaqja e djegur është e konsiderueshme, por për shkak të terrenit të thyer dhe bimësisë së dendur, nuk mund të jepet ende një shifër e saktë. Dyshimet e para mbi shkakun e zjarrit flasin për pakujdesi ose zjarrvënie të qëllimshme, çështje që do të vërtetohet nga hetimet e strukturave përkatëse.

