Bota
Kriza e rëndë të ujit/ Qeveria teherane mbyll rreth 20 mijë tualete publike

Autoritetet në Teheran kanë mbyllur një numër të madh tualetesh publike si pjesë e masave qeveritare për të përballuar krizën e rëndë të ujit që po përkeqësohet çdo ditë, raportojnë Didban Iran dhe gazeta Shargh.
Sipas Didban Iran, ky vendim është kritikuar ashpër, pasi i mohon banorëve një nevojë themelore, duke ndërprerë aksesin në shërbime bazë. Administrata e kryeqytetit iranian nuk ka komentuar ende mbi këto raportime, por dëshmitarë okularë konfirmojnë se shumë tualete publike – përfshirë ato në stacionet e metrosë – janë tashmë jashtë funksionit. Aktualisht në zonën metropolitane të Teheranit ndodhen rreth 20,000 tualete publike.
Krizat e ujit dhe energjisë janë kthyer në shqetësime madhore për qytetarët iranianë. Furnizimi me ujë është ndërprerë deri në 48 orë në disa lagje të Teheranit dhe në të paktën 50 qytete të tjera. Për më tepër, ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike e bëjnë të pamundur përdorimin e kondicionerëve, edhe kur temperaturat arrijnë mes 40 dhe 50 gradë Celsius.
“Në këto kushte është thuajse e pamundur të jetosh”, shkruajnë shumë nga 15 milionë banorët e kryeqytetit në rrjetet sociale.
Ndër masat e tjera që qeveria e Presidentit Masoud Pezheskian po shqyrton për të kursyer energji dhe ujë janë, shkurtimi i javës së punës nga pesë në katër ditë, ose madje edhe shpallja e një “mbylljeje” njëjavore të kryeqytetit. Megjithatë, shqetësimet për ndikimin ekonomik të këtyre masave kanë penguar ende zbatimin e tyre.
Presidenti Pezheskian e ka cilësuar situatën si një “katastrofë natyrore” që mund të përkeqësohet në javët në vijim, pasi rezervuarët e ujit janë pothuajse bosh.

