Aktualitet
U arrestua nga SPAK/ “Cinco Cavalli” distancohet nga ish-pronari: S’ka më lidhje me ne!

Biznesmeni Ermir Ndreaj u arrestua pak ditë më parë nga SPAK në kuadër të një operacioni të kryer në bashkëpunim me autoritetet europiane, ku u godit një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës, duke sekuestruar kokainë me vlerë tregu prej 411 milionë eurosh.
Sipas SPAK, ky grup i strukturuar kriminal vepronte përmes një organizimi të sofistikuar dhe trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt disa vendeve të Bashkimit Evropian, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Pas një postimi të bërë publik, “Cinco Cavalli Group” ka reaguar zyrtarisht duke sqaruar se personi i përmendur në materialin mediatik nuk është më pjesë e këtij ambienti.
Në një komunikim dërguar redaksisë, grupi bën të ditur se ish-pronari nuk ka më asnjë lidhje me pronësinë apo menaxhimin e subjektit, duke theksuar se bashkëpunimi me të ka përfunduar prej kohësh.
“Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe për korrektësinë që karakterizon punën tuaj,” thuhet në deklaratën e tyre, ku shtohet gjithashtu se janë të gatshëm të japin çdo informacion të mëtejshëm nëse nevojitet.
Ky reagim vjen si një përpjekje për të sqaruar opinionin publik dhe për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm mbi përfshirjen aktuale të individëve të caktuar në funksionimin e lokalit.
REAGIMI:
“Cinco Cavalli Group dëshiron të sqaroje opinionin publik lidhur me një informacion të gabuar të publikuar sot në disa media online, ku është përmendur emri i një personi te arrestuar, qe ka lidhje me kompaninë tonë.
Theksojmë se ky person nuk ka asnjë lidhje me Cinco Cavalli Group, as në pronësi, as në menaxhim, dhe as në ndonjë funksion tjetër të lidhur me aktivitetin e kompanisë sonë. Çdo përpjekje për ta lidhur atë me emrin e Cinco Cavalli është e pavërtetë dhe e pabazuar.
Ky sqarim bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të kompanisë dhe për të shmangur çdo keqkuptim të mëtejshëm. Jemi të gatshëm të ofrojmë çdo informacion shtesë për të garantuar transparencë dhe qartësi maksimale për publikun dhe median.” – thuhet në reagimin e “Cinco Cavalli”.

