Bota
Viktima dhe të plagosur në tërmetin me magnitudë 6.1 në Turqi, të paktën 16 ndërtesa u shembën

Një tërmet me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter goditi të dielën provincën perëndimore të Balıkesir, duke shkaktuar një viktimë dhe 29 të plagosur, njoftuan autoritetet turke.
Sipas raportimeve nga mediat vendase, viktima është Nihat Onbaş, 81 vjeç, i cili humbi jetën në spital pasi u nxor nga rrënojat e një ndërtese trekatëshe të shembur në qytetin Sındırgı. Bashkëshortja e tij, Hamide Onbaş, është jashtë rrezikut për jetën, por ka pësuar frakturë në krah.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, konfirmoi se të plagosurit nuk janë në rrezik për jetën. Nga 29 personat e lënduar, 18 janë tashmë të liruar nga spitali, ndërsa 11 të tjerë vazhdojnë trajtimin, kryesisht për dëmtime të pësuara gjatë përpjekjes për të dalë nga ndërtesat.
Lëkundje deri në Stamboll dhe brigjet e Egjeut
Tërmeti u regjistrua në orën 19:53 (sipas orës lokale), me një thellësi fokale prej 10 km. Lëkundjet u ndjenë gjerësisht në rajonin e Marmarasë, përfshirë edhe Stambollin dhe brigjet veriore e lindore të Egjeut, pa shkaktuar dëme në ishujt grekë.
Sipas autoriteteve turke dhe AFAD, janë regjistruar të paktën 20 pasgoditje, ku më e forta ka arritur magnitudën 5.0.
Rreth 319 ekipe shpëtimi janë angazhuar në zonën e goditur, ndërsa janë marrë 24 raportime emergjente për dëme në banesa dhe struktura të tjera. Organizata si AFAD, Jandarma, Emniyet dhe UMKE janë vënë menjëherë në veprim për të ndihmuar banorët dhe për të kontrolluar dëmet.
Pamjet televizive treguan ekipet e shpëtimit duke kërkuar të mbijetuar mes rrënojave, teksa banorët e alarmuar dilnin në rrugë.
“A më dëgjon dikush?”, dëgjohen të thërrasin ekipet e kërkim-shpëtimit në pamjet e transmetuara nga NTV.
Ekspertët: S’ka vend për panik – Nuk priten tërmete më të mëdha
Presidenti i Organizatës Sizmologjike të Greqisë (OASP), Efthimios Lekkas, deklaroi se tërmeti ndodhi në një “çarje dytësore” dhe nuk lidhet me të çarjen e madhe anatoliane, që kalon nëpër Stamboll dhe mund të shkaktojë tërmete shkatërruese.
“Ky ishte një tërmet i madh, por nuk ndodhi në një strukturë të madhe tektonike. Këto çarje të vogla zakonisht japin tërmete të tilla, me ndikim lokal dhe të përkohshëm”, – sqaroi Lekkas për televizionin grek SKAI.
Turqia është një nga vendet më aktive sizmikisht në botë. Vetëm në qershor 2025, një tërmet me magnitudë 5.8 ballë në pjesën jugperëndimore të vendit shkaktoi 1 viktimë dhe 69 të plagosur.
Kujtojmë se në shkurt të vitit 2023, një tërmet katastrofik me magnitudë mbi 7 ballë goditi jugun e Turqisë, duke vrarë më shumë se 53,000 njerëz dhe duke lënë pas dëme të pallogaritshme.

