Connect with us

Kronike

Të shtënat me armë që terrorizuan qytetarët, arrestohet njëri nga të shpallurit në kërkim

Është arrestuar njëri nga personat e shpallur në kërkim për të shtënat me armë zjarri gjatë natës së 3 gushtit në autostradën Tiranë-Durrës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera në lidhje me ngjarjen e datës 03.08.2025, në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku u qëllua me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi L. Sh., ndaluan shtetasin A. D., 46 vjeç, banues në fshatin Xhafzotaj (kushëri i të shpallurit në kërkim), pasi dyshohet se drejtonte automjetin nga ku qëlloi me armë zjarri, shtetasi E. D. Punohet intensivisht për dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasit A. D., si dhe për kapjen e shtetasit E. D, i shpallur në kërkim”-njofton policia.

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të së dielës, në autostradën Durrës-Tiranë, ku pas një përplasjeje verbale për një parakalim me makinë, situata ka degraduar në dhunë me armë.

Shtetasit Emiljano Domi, 46 vjeç dhe Elton Domi, 40 vjeç, të dy banues në Xhafzotaj, kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin po udhëtonte shtetasi L. Sh., 35 vjeç.

Për pasojë, 35-vjeçari ka mbetur i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.

Advertisement