Shkrime
Analizat e idealistëve të frustruar vlejnë vetëm për masturbim mendor

Nga Denis Dyrnjaja
Ka një debat për qasjen dhe reagimin brenda ambientit mediatik, në lidhje me marrjen nën kontroll të ambienteve ku ka ushtruar për vite me radhë aktivitetin televizioni News 24. Në morinë e trimave për lirinë e fjalës dhe kundër censurës, pikasa një oponent të frustruar publik, që përdor shpesh fyerjen si argument.
Psh nëpërmjet shqetësimit për cënimin e lirisë së fjalës dhe qëndrimit editorial, që ka mbajtur News 24, polemisti i kalçifikuar në frustrim, vëren me shqetësim, se përse mediat e tjera nuk e raportuan situatën që po ndodh me News 24?
Përgjigjja besoj se është e thjeshtë. Të gjithë këtu e dinë se kush janë të gjithë. Pra lufta ime, nuk është lufta jote dhe anasjellas. Dhe këtu nuk po flitet për luftë që lidhet me lirinë e fjalës, të mendimit apo linjës editoriale. Këtu po flitet për luftë interesash.
Përsa kohë të gjithë e dinë që marrëdhënia e përplasjes mes institucioneve të shtetit me News 24 fsheh një ndërveprim të prishur mes pronarit të kësaj medieje dhe kryeministrit, ministrave etj, atëherë askush nga mediat e tjera nuk do të futet ne këtë mes, pasi kjo nuk është një aferë e tyre dhe këtu nuk bëhet fjalë për liri a censurë, por thjeshtë për teka, llastime, megalomani e delizëm për përfitime.
A janë më të ndershëm ata që mbajnë pronësitë e mediave të tjera në Shqipëri? Kjo është një temë që ha diskutim rast pas rasti Por e sigurt është se nëse do të bëhej fjalë për censurë apo dhunë ndaj News 24 dhe lirisë editoriale apo fjalës se lirë, çdo media do reagonte e do raportonte pa asnjë droje. Në mos media tradicionale, do vlonin mediat e rrjeteve sociale.
Por kur është fjala për raporte interesash okulte të prishura atëherë asnjë media tjetër, e çdo lloji nuk do të merrte përsipër nje rrisk qe si takon, sepse nuk është as betejë morale, as etike kur bëhet fjalë për marrëveshje që kanë funksionuar deri në një farë kohe për te dyja palët dhe pastaj janë kthyer ne raporte toksike.
Po, qeveria ka bërë një autogol të madh me çështjen News 24. Ministria e Ekonomisë në tentativë për të treguar se problemi qëndon te shkelja e kontratës në mënyrë të njëanshme nga Fokus Grup, me pronar z Irfan Hysenbelliu, që nuk ka paguar qiranë për vite me radhë, nxori ne pah mosveprimin dhe tolerancën e saj në shkelje të ligjit në favor klientelist për një subjekt të caktuar sikurse është subjekti ne fjalë, qoftë kjo dhe një media.
Atëherë pyetja logjike që lind është: kush mban përgjegjësi përse është toleruar për vite me radhë kjo shmangie detyrimi? A është bërë ajo për të përfituar mbështetjen e medias në fjalë në mënyra te ndryshme? Nëse është bërë në një rast, kush na siguron se nuk është vepruar edhe në raste të tjera me interesa të marrëdhenieve media-pushtet?
Nëse do ishte çështje censure dhe linje editoriale, qeveria kishte mënyra të tjera represioni. Të gjen në shkelje e të heq licensën, të penalizon me gjoba për shkelje që mund të gjenden pa fund jo vetëm në News 24, por në çdo media. Pra do kishte ndërhyrje gjithfarësh, që direkt apo indirekt do lidheshin me censurën, por përfundimi i kontratës së ambienteve, kur me vendim gjykate është provuar se nuk jam shlyer detyrimet kontaktuale, tregon se kjo është mirëfilli një çështje tërësisht administrative. A mban brenda inate personale mes Edi Ramës dhe Irfan Hysenbelliut? Këtë mund ta mendojmë apo përfytyrojmë, por dot nuk e provojmë.
Ndaj në rastin konkret vetëm për censurë nuk bëhet fjalë dhe pse një grup njerëzish ulin nivelin personal të inteligjencës për ta trajtuar si të tillë. Për stafin e News 24 duhet patur mirëkuptim maksimal, sepse ata janë në një pozitë të tillë ku duhet të mbajnë këtë linjë të imponuar qoftë dhe instinktivisht, në këtë histori të errët mardheniesh e interesash, të punëdhënësit të tyre.
Ndërsa për mungesën e lirisë së fjalës dhe censurën personalisht, mendoj se ajo jo vetëm nuk ekziston, por është me tepri. Është problem tjetër që ne ose e keqpërdorim ose nuk dimë ta përdorim si duhet. Në media ka vend për ata që janë idealistë dhe për ata që janë konformistë, por edhe për shumicën që janë oportunistë. Të gjithëve na sheh, lexon e vlerëson publiku.
Kush do të shitet e të blihet e bën. Dhe ka qëlluar që si për çudi dhe ironi, moralin dhe mbrojtjen e dinjitetit e bëjnë ata/ato që kanë prostituuar më shumë profesionalisht duke u hedhur sa në një preh në një tjetër, pushteti me servilizëm apo pseudoidealizëm, varësisht nga sa u është ofruar buxheti.
Për ta mbyllur nëse vërtetë drejtuesit e News 24 besojnë se marrja e ambienteve të qiramarra është një akt censure, po u sjell ndërmend një zgjidhje që i ndjeri Dritan Hoxha, njeriu që median e krijoi për pasion, jo për përfitime e presion tha dikur kur ishte në përplasje me çdo lloj pushteti qoftë kur kryeministër ishte Fatos Nano dhe më pas Sali Berisha. Nuk ka shans njeri të mbyllë Top Channel. Edhe po s’më lanë të transmetoj në Shqipëri, do transmetoj me satelit dhe një autobus me regji nga Mali i zi. Dhe asnjë pushtet nuk ia doli ta gjunjëzojë përsa kohë nuk e shtriu kurrë dorën të merrte qoftë edhe një lek nga paratë publike, siç bënë individë te tjerë apo grupe të tjera mediatike

