Connect with us

Kosova

Në 48 orë 5 viktima në Kosovë/ Prapaskenat e krimeve që tronditën qytetarët

Në vetëm 48 orë, në Kosovë 5 persona u vranë.

Në orët e mbrëmjes së të hënës, Muhamet Matoshi, 41-vjeçar, dyshohet se u vra nga Xhemajl Nuhiu, për shkak të një mosmarrëveshjeje në komunikacion.

Nuhiu është larguar nga vendi i ngjarjes e është në arrati. “Si rezultat i veprimeve të deritanishme hetimore, është identifikuar autori i dyshuar, Xhemajl Nuhiu, i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit”, thanë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Dy ditë më parë në Prizren u vra me thikë një 34-vjeçar, e sipas Prokurorisë së Prizrenit, ai dyshohet se u vra nga një 35-vjeçar për shkak të mosmarrëveshjes për një luftë mes qenëve. Për të dyshuarin, prokurori ka bërë kërkesë për paraburgim prej një muaji. Ndërkohë, Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonisi dhe Engjulli, të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan, vazhdojnë të jenë në arrati.

Duke pasur parasysh që të dyshuarit kishin precedent penal, por ishin lënë në liri, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policor të rajonit, në kuadër të hetimeve për të zbardhur nëse ka pasur lëshime ose përfshirje të zyrtarëve në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës. Në këtë aspekt kërkohet të ketë politika të funksionimit më të mirë të institucioneve të drejtësisë.

“Të kemi një politikë unike të veprimit të mekanizmave të sigurisë dhe drejtësisë, në kuptimin e rritjes së sigurisë publike në vend, në kuptim të sigurimit të jetës së qytetarëve”, u shpreh Valdet Hoxha, ekspert sigurie.

Në fillim të këtij muaji, Enver Bajraktari u gjet i vrarë e i groposur në një arë të mbjellur me misër. Tek këtë të martë, Policia e Kosovës arrestoi një person, T. K., si të dyshuar për vrasjen e tij.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Prishtinës bën me dije se i njëjti ka pranuar kryerjen e veprës penale të vrasjes dhe ndaj tij po zhvillohen procedurat e mëtejshme ligjore.

Rasti i rëndë i Bajraktarit e çon në 6 numrin e viktimave nga vrasjet brenda 12 ditëve të muajit gusht. Krimet e tilla në një periudhë kaq të shkurtër kohore paraqesin një situatë të brishtë sigurie në Kosovë.

“Shteti duhet të caktojë si top prioritet, çështjen e vrasjeve dhe të trajtojë këtë temë me seriozitetin më të madh duke filluar me ndërtimin e një strategjie të vetme që do të identifikonte numrin e armëve ilegale në duart e qytetarëve, që do të identifikojë motivet kryesore për çka kanë ndodhur, tani dhe në të kaluarën e afërt këto vrasje”, tha Hoxha.

Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, brenda periudhës janar – gusht të këtij viti në vend janë regjistruar 14 raste të vrasjeve, derisa përgjatë gjithë vitit 2024 ishin 17 raste.

Për situatën shqetësuese ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili ka kërkuar nga institucionet e nivelit qëndror dhe lokal, në bashkëpunim të nisin fushatë për konfiskimin e armëve pa leje.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, që nga muaji janar i këtij viti e deri në korrik janë konfiskuar 1039 armë pa leje e mbi 18 mijë copë municion.

Advertisement