Connect with us

Bota

“Askush nuk është mbi ligjin”/ FBI bastis shtëpinë e John Bolton, ish-këshilltarit të sigurisë së Trump

Agjentët e FBI-së kanë bastisur në mëngjesin e së premtes banesën e John Bolton, ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së parë të presidentit Donald Trump, në kuadër të një hetimi të ndjeshëm për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara.

Bastisja u krye rreth orës 7:00 të mëngjesit në rezidencën e Bolton në periferi të Uashingtonit dhe është urdhëruar nga drejtori i FBI-së, Kash Patel, i cili në një postim në rrjetin social X deklaroi: “Askush nuk është mbi ligjin… @FBI agjentë në mision.” Postimi u shpërnda edhe nga Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi, e cila shtoi: “Siguria e Amerikës nuk negociohet. Drejtësia do të ndiqet. Gjithmonë.

Një burim i njohur me hetimin konfirmoi për Associated Press se bastisja është pjesë e një hetimi të FBI-së lidhur me trajtimin e materialeve të ndjeshme nga Bolton. I njëjti burim theksoi se Bolton nuk është arrestuar dhe nuk është akuzuar për ndonjë vepër penale. Deri më tani, as Bolton, as përfaqësuesit e tij ligjorë dhe as Shtëpia e Bardhë nuk kanë komentuar publikisht ngjarjen.

Sipas burimeve të mëparshme, hetimi ndaj Bolton kishte nisur vite më parë, por ishte pezulluar gjatë administratës Biden për arsye politike. Tashmë, duket se çështja është rikthyer në vëmendje me intensitet të shtuar.

 

 

Ndërkohë që agjentët ndodheshin brenda banesës së tij, në orën 7:32 të mëngjesit, në llogarinë zyrtare të Bolton në X u publikua një mesazh kritik ndaj qëndrimit të Donald Trump për luftën në Ukrainë. Nuk është e qartë nëse postimi ishte programuar më herët apo nëse kishte lidhje direkte me ngjarjen.

Bolton, një figurë e fortë në çështjet e politikës së jashtme amerikane, ka qenë një nga kritikët më të zëshëm të Trump pas largimit nga administrata. Në librin e tij të vitit 2020, ai përshkruante tensione të thella me presidentin dhe mënyrën e tij të udhëheqjes.

Hetimi aktual e vendos Bolton sërish në qendër të vëmendjes politike dhe ligjore në SHBA, në një kohë kur trajtimi i dokumenteve të klasifikuara mbetet një çështje shumë e ndjeshme për autoritetet federale.

Advertisement