Rajon
Serbia drejt një lufte civile/ Vuçiç ndërmerr hapin e papritur si reagim ndaj protestave kundër qeverisë

Nga ora 18:30 e ditës së sotme, në mbi 80 qytete dhe komuna të Serbisë do të mbahen tubime të organizuara nga të ashtuquajturit “qytetarë që kundërshtojnë bllokadat”. Këto ngjarje janë shtyrë fuqishëm përpara nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet. Përmes mediave proqeveritare dhe rrjeteve sociale, SNS ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke u përpjekur të krijojë përshtypjen e një reagimi spontan qytetar
Sipas mediave si Politika dhe Informer, mobilizimi po zhvillohet në thuajse të gjitha qytetet dhe komunat, dhe paraqitet si një “kundërpërgjigje ndaj muajve të protestave dhe bllokadave”.
Portali 021 raporton se këto tubime po mbahen në të gjitha qeveritë lokale të Vojvodinës, përveç Novi Sadit, dhe thekson se edicioni i mëparshëm, më 20 gusht, ishte organizuar nga një organizatë joqeveritare e lidhur ngushtë me pushtetin – Qendra për Stabilitet Social.
Presidenti Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se këto tubime nuk janë të drejtuara kundër protestave në përgjithësi, por konkretisht ndaj bllokadave, duke shmangur çdo përgjegjësi për situatën politike të tensionuar të krijuar nga vetë qeveria.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Ivica Daçiç tha se, sipas të dhënave të policisë, në tubimet e fundit morën pjesë rreth 33 mijë persona. Megjithatë, këto shifra janë kritikuar shpesh si të manipuluara për të përmirësuar imazhin e SNS.
Analistët vendas e interpretojnë këtë mobilizim si një përpjekje të qeverisë për të zvogëluar ndikimin e protestave autentike qytetare, të cilat prej muajsh po denoncojnë korrupsionin, autoritarizmin dhe abuzimet nga qeverisja e Vuçiç.

