Connect with us

Rajon

Rusia merr në mbrojtje Vuçiçin: Perëndimi do ta zëvendësojë me një politikan të dobët

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harcenko, deklaroi se Perëndimi dëshiron të zëvendësojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me një politikan të dobët që kontrollohet nga Bashkimi Evropian.

“Në fakt, dëshira është të hiqet Vuçiçi dhe të vendoset një nga ‘liderët’, i cili do të ishte i njëjtë ose i ngjashëm me ata që janë formalisht në pushtet në vendet e tjera, por janë plotësisht të nënshtruar ndaj BE-së”, tha ai për agjencinë ruse të lajmeve, RIA Novosti.

I pyetur për këto deklarata të ambasadorit rus, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë një konference për media tha se e falënderon diplomatin rus për “korrektësinë”.

Vuçiç u takua me Harcenkon më 21 gusht dhe pas këtij takimi njoftoi se një takim i nivelit të lartë mes udhëheqjes së Serbisë dhe Rusisë do të zhvillohet së shpejti.

Partia opozitare Liria dhe Drejtësia (SSP) kritikoi ambasadorin rus për deklaratat, duke thënë se nuk është hera e parë që ai publikisht ndërhyn në çështjet e brendshme të Serbisë.

Nga Kremlini, Beogradi zyrtar mori mbështetje për protestat antiqeveritare, përmes së cilave demonstruesit po kërkojnë mbajtjen e zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme në Serbi.

Në një komunikatë të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme më 13 gusht, u tha se “disa forca në Serbi, nën petkun e sloganeve për ‘kërkimin e drejtësisë dhe demokracisë’, nuk hezitojnë të përdorin agresion të hapur, barbarizëm dhe dhunë”.

Advertisement