Connect with us

Politike

Trajtimi i integruar i mbetjeve/ Rama zbulon reformën e re: Kapitulli më sfidues për anëtarësimin në BE

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin e Reformës për Trajtimin e Integruar të Mbetjeve, ku prezantoi një plan të ri masash ligjore dhe investimesh, të cilin e cilësoi si domosdoshmëri në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Rama tha se këtë vit është vënë re një përmirësim i dukshëm në pjesën më të madhe të territoreve turistike, të cilat janë përballur me rritje të madhe të vizitorëve dhe, për rrjedhojë, edhe të mbetjeve. Ai përmendi si shembull pozitiv bashkinë e Lezhës, që sipas tij vijon të prijë për pastërtinë, ndërsa theksoi se edhe Shkodra, Durrësi e Himara kanë treguar progres në krahasim me vitin e kaluar.

Megjithatë, kryeministri pranoi se përgjatë vijës bregdetare ka ende zona problematike dhe se uniformiteti në menaxhimin e mbetjeve mbetet një sfidë serioze. “Është e domosdoshme të vijojmë me një ritëm më të lartë, jo vetëm për përmirësimin e territorit, por edhe për të përmbushur objektivin tonë strategjik: integrimin në BE,” tha Rama.

Ai u bëri thirrje institucioneve, të zgjedhurve vendorë dhe nëpunësve publikë të ndërgjegjësohen se trajtimi i integruar i mbetjeve është një nga kapitujt më të vështirë të negociatave me Brukselin. Rama shtoi se edhe qytetarët duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi, pasi deri tani nuk është vënë re një ndërgjegjësim i mjaftueshëm për mbajtjen pastër të territorit.

 

 

Në këtë kuadër, kreu i qeverisë njoftoi se së shpejti do të miratohet një paketë e re masash ligjore, ku përfshihet projektligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Sipas Ramës, ligji parashikon krijimin e një operatori kombëtar për trajtimin e mbetjeve, një agjenci qendrore që do të marrë përsipër procesin në nivel republike, duke e larguar atë nga administrimi i bashkive.

“Kjo ndërmarrje e re do të vihet në dispozicion të gjithë vendit dhe pushtetit vendor, me synim përqendrimin e procesit të trajtimit të mbetjeve dhe përmbushjen e misionit për integrimin evropian,” theksoi Rama.

Advertisement