Connect with us

Kosova

Haga në fokus/ Amerika me sy e veshë në seancat e Gjykatës Speciale

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara pritet të jenë prezent në seancat e ardhshme të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës, ku ekipet mbrojtëse të të akuzuarëve pritet të nisin procesin e paraqitjes së provave dhe dëshmitarëve të saj.

Avokatët e ish-presidentit kosovar, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, kanë marrë miratimin për deklaratën dhe dëshminë e një dëshmitari, identiteti i të cilit nuk është zbuluar ende për publikun.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë përcaktuar disa kushte specifike nën të cilat dëshmitari i koduar “1DW-003” mund të japë dëshminë para trupit gjykues, në mesin e të cilave edhe autorizimi i përfaqësuesve amerikanë për të qenë fizikisht të pranishëm.

“[…] dhe përfaqësuesit e qeverisë së Shteteve të Bashkuara janë të autorizuar të jenë të pranishëm gjatë dëshmisë. Një kërkesë zyrtare për këto masa do të paraqitet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në dokumentin e publikuar nga shtypi në Prishtinë.

Ndryshe, procesi gjyqësor pritet të marrë një dimension të veçantë me përfshirjen e figurave nga SHBA-ja, të cilët janë thirrur të japin dëshminë e tyre pro ish-presidentit Thaçi. Gjithashtu, një dëshmitar i mbrojtjes është nga Mbretëria e Bashkuar.

Advertisement