Connect with us

Kosova

Vogel: Vuçiçi dhe Dodiku kërkojnë mbështetje simbolike nga Putini për të frikësuar Evropën

Toby Vogel, vëzhgues i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar se takimet e liderëve serbë me presidentin rus, Vladimir Putin, nuk reflektojnë mbështetje reale nga Rusia, por shërbejnë më shumë si një mesazh për liderët në Perëndim.

Pavarësisht sanksioneve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe udhëheqësi i serbëve të Bosnjë dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, vazhdojnë të kultivojnë raporte të ngushta me Rusinë. Vuçiçi këtë javë do të udhëtojë në Pekin, ku do të takohet me Putinin, ndërsa Dodiku ka paralajmëruar se “së shpejti” do të udhëtojë në Moskë.

“Mendoj se ajo që kërkojnë është mbështetje simbolike nga Putini për t’i frikësuar evropianët dhe për t’ua bërë me dije se është në interesin e tyre të mos ushtrojnë më shumë presion as ndaj Vuçiqit e as ndaj Dodikut”, ka theksuar së fundmi Vogel.

Vogel, bashkëthemelues dhe bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Politikat e Demokratizimit në Berlin ka vlerësuar për Radion Evropa e Lirë se takimet e Vuçiçit dhe Dodikut me Putinin s’e kanë për qëllim Moskën, por Brukselin dhe Londrën.

“Prej vitesh dëgjojmë se nuk mund të ushtrohet shumë presion ndaj Vuçiçit apo Dodikut, sepse, nëse e bëjmë këtë, rrezikojmë t’i humbim ata. Ata, gjoja, do t’i kthehen Lindjes dhe ne nuk e duam këtë. Por, ky narrativ asnjëherë nuk ka qenë bindës, dhe Perëndimi duhet t’i japë fund kësaj qasjeje”, ka shtuar mes tjerash Vogel.

Serbia është përballë protestave masive që kanë shpërthyer pas tragjedisë në stacionin hekurudhor në Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, ndërsa Republika Sërpska është përballë një krize të thellë politike pas heqjes së mandatit të Dodikut.

Advertisement