Politike
Luftë në Kuvend/ Sezoni i ri politik, Mediu tregon çfarë duhet të bëjë opozita

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh se qëndrimi i opozitës në raport me zgjedhjet dhe parlamentin, dallojnë nga njëra-tjetra. Sipas tij, qëndrimi për të mos njohur zgjedhjet është korrekt. Njëkohësisht edhe zgjedhja e opozitarëve për të pranuar mandatet e për të hyrë në Kuvend.
“Qëndrimi në raport me zgjedhjet, qëndrimi në raport me parlamentin janë dy gjëra që dallojnë me njëra-tjetrën. Të mos njohësh zgjedhjet e grabitura mendoj është qëndrim korrekt politik. E dyta të bësh luftë në Kuvendin e Shqipërisë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme kjo është një detyrë opozitare”, tha Mediu
Sipas kreut të PR-së, Kuvendi është institucioni i vetëm ku opozita në bashkëpunim edhe me presionin ndërkombëtar mund të garantojë standardet zgjedhore. Prandaj për Mediun, bojkoti i parlamentit nuk duhet diskutuar pasi është provuar se është gabim edhe në të shkuarën. Sipas tij, opozita duhet t’i përdorë të gjitha mjetet që ka në dorë, që nga lufta në parlament, e deri te marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Nëse e le siç e la në vitet e shkuara opozitare për t’ia dhënë gratis Edi Ramës ccdo gjë për të kontrolluar dhe për të shkatërruar demokracinë, funksionalitetin kushtetues, por edhe opozitën , unë mendoj që do ishte gabim jo i vogël opozitar. Opozita duhet të jetë e mençur. E mençur në kuptimin që duhet të ndërtojë një raport të drejtë me qytetarët shqiptarë, e cila jo gjithmonë varet nga sasia, por edhe nga kualiteti i mendimit dhe qasja, pastaj edhe në raport me ndërkombëtarët. Ne e kemi paguar shtrenjtë braktisjen e parlamentit dhe politikat tona edhe në raport me ndërkombëtarët duke krijuar një thyerje dhe duke parë si alternativë atë që nuk është alternativë, qeverisjen e sotme për integrimin europian”, tha Mediu.
Kujtojmë se opozita nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit. Ajo ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit Rregullator që certifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

