Kosova
Plagosi me thikë mësuesen, momenti kur policia qëllon për vdekje nxënësin nga Kosova

Një mësuese është sulmuar me thikë mëngjesin e sotëm në një shkollë profesionale në qytetin Essen, në perëndim të Gjermanisë. Sipas mediave gjermane, autor i dyshuar i sulmit është një 17-vjeçar nga Kosova, nxënës në të njëjtën shkollë.
Mësuesja ka pësuar plagë të rënda në zonën e stomakut, por sipas autoriteteve lokale, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas sulmit, i riu është larguar nga ambientet e shkollës dhe është lokalizuar nga policia në një park afër. Mediat gjermane, përfshirë DPA dhe Bild, raportojnë se kur forcat e rendit iu afruan për ta ndaluar, ai u përpoq të sulmonte edhe policinë duke vrapuar drejt tyre me thikë në dorë.
Si pasojë, policia është detyruar të përdorë armën e zjarrit, duke e plagosur të dyshuarin.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë momentin e arrestimit të të dyshuarit, i shtrirë në tokë, me armët e policëve të drejtuara ndaj tij.
17-vjeçari po trajtohet në spital për plagët e marra. Ndërkohë, në shkollë janë parë forca të shumta policore, përfshirë edhe njësi speciale. Një zëdhënës i qytetit ka deklaruar se në këtë shkollë profesionale ndjekin mësimet rreth 1.780 nxënës.
Hetimet për motivin e sulmit janë në vijim.

