Aktualitet
Skandal i trefishtë/ Pjeshkë, domate e speca nga Shqipëria bllokohen si ‘helme’ në Kroaci e Slloveni!

“Nga Shqipëria erdhën speca me pesticide”. Kështu shkruajnë medias sllovene lidhur me një ngërkesë me speca të importuar e cila pas analizave rezultoi me nivele të larta të pesticideve.
Autoritetet dhanë urdhrin për tërheqjen e specave nga tregu, ndërsa mësohet se në to u gjetën pesticide të tepërta si acetamiprid, formetanate dhe flonicamid.
Produkti është importuar nga Sllovenia në datën 24 gusht deri në 4 shtator, ndërsa kanë qenë të paketuara në kuti kartoni dhe plastikë.
Sakaq, kompania sllovene Geaprodukt u ka kërkuar klientëve ta kthejnë produktin në vendin e blerjes dhe nëse kjo nuk është e mundur, ata duhet ta hedhin atë.
Kompania ka këshilluar personat që kanë rënë në kontakt me ushqimin e kontaminuar duhet të dezinfektojnë duart dhe në rast të të përzierave ose problemeve me tretjen, ata duhet të kontaktojnë mjekun më të afërt.
Ndërkohë, Kroacia bllokoi më 3 shtator një sasi prej 5,562 kg pjeshkë me origjinë nga Shqipëria, për shkak të pranisë së nikelit mbi normat e lejuara.
Njoftimi për këtë rast u mor nga Sistemi RASFF më 22 gusht 2025, dhe u konfirmua pas analizave të kryera në shtetin kroat. Pas marrjes së njoftimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri (AKU) ka nisur hetimet dhe ka gjetur se produkti nuk ishte shpërndarë në tregun vendas, por ishte dërguar ekskluzivisht për eksport.
Sasia e pjeshkëve u asgjësua në Kroaci pas rezultatëve të analizës. Ky rast është përcjellë dhe për masa të tjera nga autoritetet shqiptare.
Autoritetet kroate pas bllokimit të ngarkesës me pjeshkë të nisura nga Shqipëria, pasi frutat kanë rezultuar të kontaminuara me metale nikeli, bllokoi dhe asgjësoi edhe 4 ton domate të prodhuara në Berat, pasi analizat laboratorike zbuluan nivele shumë të larta të insekticidit chlorfenapyr, një substancë tepër toksike e përdorur për shfarosjen e insekteve.
Sipas njoftimit të EFSA-s (Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore), ngarkesa maksimale e lejuar për këtë pesticid është 0.01 mg/kg, ndërsa në domatet shqiptare u gjetën nivele prej 0.06 mg/kg, që është pesë herë mbi normën e sigurisë.
Domatet e kontaminuara u groposën nga autoritetet kroate, duke parandaluar kështu futjen e tyre në tregun europian dhe rrezikun që mund të paraqisnin për shëndetin e konsumatorëve.
Në të njëjtën ditë, autoritetet kroate bllokuan dhe asgjësuan edhe 5 ton pjeshkë të importuara nga Divjaka, pasi u konstatua prezenca e lartë e metalit të rëndë nikel, duke ngritur shqetësime të mëtejshme për cilësinë e produkteve shqiptare në tregun ndërkombëtar.
Ky skandal vjen në një kohë kur eksportet shqiptare po kërkojnë forcimin e standardeve dhe kontrollit për të siguruar cilësinë dhe sigurinë e produkteve, në mënyrë që të mbrojnë reputacionin dhe të shmangin dëmtimet financiare dhe të besueshmërisë në tregjet e huaja.

