Connect with us

Aktualitet

Gjykata e Lartë e Italisë “shuplakë” të fortë Melonit, rrëzohet plani për kampin në Gjadër, emigrantët lirohen?

Gjykata e Lartë e Italisë (Kassacioni) ka vendosur se azilkërkuesit nuk mund të mbahen të ndaluar pa miratimin e një gjyqtari, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre në mungesë të këtij konfirmimi.

Vendimi i fundit konsiderohet një goditje e fortë ndaj dekretit të emigracionit të miratuar në mars, i cili parashikonte që emigrantët që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare të qëndrojnë deri në 48 orë në qendër, edhe pa miratimin e gjykatës, në pritje të një vendimi të ri, shkruajnë mediat italiane.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur emigracioni është kthyer në një temë të nxehtë në Itali, sidomos pas marrëveshjes së Romës me Tiranën për ndërtimin e kampeve për azilkërkuesit në Gjadër.

Marrëveshja parashikon që emigrantët e ndaluar në brigjet italiane të transferohen për procedura në Shqipëri, ku do të qëndrojnë derisa të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.

Ky precedent pritet të hapë debat të gjerë në politikën italiane, ku qeveria e Giorgia Melonit e ka shpallur si prioritet luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe zhvendosjen e procedurave jashtë territorit italian.

 

Advertisement