Connect with us

Bota

Skandal në SHBA, arrestohen 475 punëtorë koreanë në fabrikën e Hyundai

Qeveria e Koresë së Jugut ka mbajtur një mbledhje emergjente pas arrestimit të qindra shtetasve të saj gjatë një operacioni të madh të emigracionit në një uzinë të Hyundai-t në shtetin amerikan të Xhorxhias.

Sipas autoriteteve amerikane, 475 persona, kryesisht shtetas koreanë, u kapën duke punuar ilegalisht në fabrikën e baterive, një nga projektet më të mëdha të investimeve të huaja në këtë shtet.

Pamjet e publikuara nga ICE (Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave) treguan punëtorë aziatikë me pranga, disa prej tyre me jelekë të verdhë me mbishkrime “Hyundai” dhe “LG CNS”.

Presidenti Donald Trump mbrojti operacionin duke thënë se “ishin emigrantë të paligjshëm dhe ICE thjesht po bënte punën e vet”, duke hedhur poshtë shqetësimet se kjo mund të dëmtonte klimën e investimeve të huaja në SHBA.

Nga ana tjetër, Seuli ka dërguar diplomatë në Xhorxhia dhe ka ngritur një grup pune të posaçëm për mbrojtjen e shtetasve të ndaluar. Ministri i Jashtëm, Cho Hyun, deklaroi se ndjen shumë përgjegjësi për situatën dhe paralajmëroi se mund të udhëtojë në Washington për të ndërhyrë direkt.

LG Energy Solution, bashkëoperator i fabrikës me Hyundai-n, njoftoi se 47 punonjës të saj dhe rreth 250 punëtorë të kompanive kontraktore janë arrestuar. Kompania tha se po punon për lirimin e shpejtë të tyre dhe se ka pezulluar shumicën e udhëtimeve të biznesit drejt SHBA-ve, duke urdhëruar punonjësit në detyrë që të kthehen menjëherë në vend.

Mediat koreane e kanë quajtur ngjarjen shokuese, ndërsa paralajmërojnë se mund të ketë efekt negativ mbi investimet e ardhshme në SHBA.

Fabrika e re e automjeteve elektrike ishte promovuar nga guvernatori republikan i Xhorxhias si projekti më i madh ekonomik në historinë e shtetit, me 1,200 të punësuar.

Advertisement