Kronike
I mori ryshfet klientes, shpallet në kërkim avokatja nga Lushnja

Një avokate me banim në Lushnjë është shpallur në kërkim nga Policia e Fierit pas denoncimit të një gruaje.
Denoncuesja pretendon se avokatja me iniciale K. K., 59 vjeç, i ka marrë një shumë eurosh duke i premtuar përshpejtim të procesit në regjistrimin e pronës së saj.
Sakaq, hetimet po vijojnë për verifikimin e rastit ndërsa po punohet për arrestimin e 59-vjeçares.
Gjithashtu sot,Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për avokatin Besart Logu, i dyshuar për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.
Vendimi është marrë pas një operacioni të zhvilluar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët po kryejnë kontrolle në disa ambiente, përfshirë edhe zyrën e avokatit.
Logu dyshohet se ka kërkuar dhe përfituar një shumë prej 8 mijë eurosh nga një klient, në këmbim të premtimeve për të ndikuar në një çështje gjyqësore.
Kontrollet janë ende në vijim, ndërsa hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi mekanizmin dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë rast.

