Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 majit nisi sot seancën e parë plenare, por jo sipas traditës parlamentare. Deputeti më i vjetër në moshë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, refuzoi të hapte punimet, vendim që u pasua edhe nga deputeti tjetër i opozitës, Tritan Shehu. Në këto rrethana, drejtimin e seancës e mori deputeti i Partisë Socialiste, Vasil Llajo, si më i vjetri pas dy demokratëve.
Seanca u zhvillua në prani të trupit diplomatik dhe krerëve të komuniteteve fetare, ndërsa në sallë ishin gjithashtu edhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë. Mes tyre, kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçe.
Vëmendje tërhqi mungesa e drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme, Olsian Çela dhe Altin Dumani. Dy karriget e rezervuara për ta në lozhën e Kuvendit mbetën bosh, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura arsyet e mospjesëmarrjes së tyre në hapjen e legjislaturës së XI të parlamentit.