Aktualitet
IKMT vijon aksionin e shembjes së bujtinave në Valbonë/ I moshuari në lot: As serbi nuk na e bëri këtë!

Pas aksionit të ashpër në Theth, ku u shembën dhjetëra objekte pa leje, fadromat e IKMT-së kanë zbritur tashmë edhe në Parkun Kombëtar të Valbonës për të vazhduar prishjen e bujtinave dhe ndërtesave të tjera të ndërtuara prej druri dhe betoni.
Në vetëm disa ditë janë rrafshuar dhjetëra objekte, ndërsa banorët vendas ndjehen të tradhtuar dhe të braktisur nga qeveria, e cila po godet me forcë ashtu siç nuk do ta bënte asnjë pushtues i huaj. Një çift i moshuar, banorë të Valbonës prej dekadash, kanë shpërthyer në lot dhe akuza ndaj një qeverie që po shkatërron shtëpitë dhe jetesën e tyre, duke i lënë pa asnjë shpresë.
“Këto i kemi ndërtuar me mund e sakrifica, me borxhe dhe gjakun tonë,” thotë burri i moshuar, ndërsa bashkëshortja e tij shton me lot në sy se shtëpitë e tyre janë i vetmi burim jetese, ndërtuar me punë dhe dashuri për tokën dhe fëmijët që tani jetojnë jashtë.
“As serbi nuk na e bëri këtë! Shqiptari shqiptarit nuk i bën kështu! Kërkojmë vetëm të na lënë në paqe, të mos na prishin shtëpitë,” thonë ata, duke u shprehur se qeveria po ushtron një masakër ndaj banorëve vendas dhe turizmit modest që mbështetet mbi këto ndërtime të thjeshta.
Ndërsa kryeministri Rama ka lavdëruar aksionin në Theth, duke e konsideruar të domosdoshëm, zemërimi dhe dhimbja e popullit të Valbonës janë të papërmbajtshme. Kjo është një goditje e rëndë për banorët e veriut që jetojnë prej dekadash në këto zona dhe për turizmin e vogël, i cili tani rrezikon të shkatërrohet përfundimisht.
Banorët kërkojnë me ngulm që qeveria të ndalë këto prishje, duke respektuar punën dhe të drejtën e tyre për të jetuar në tokën e tyre, dhe jo të vazhdojë të luajë me fatin e tyre.

