Rajon
KQZ refuzon Listën Serbe/ Rusia paralajmëron: Rreziku i konfliktit po rritet

Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, ndërsa ka komentuar vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ka pretenduar se ky është një hap tjetër kundër serbëve në Kosovë.
“Rreziqet për shpërthimin e një konflikti të ri po rriten në mënyrë të jashtëzakonshme”, citohet të ketë thënë Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
Komisioni Qendror Zgjedhor, të enjten, ka refuzuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime. Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kanë votuar kundër certifikimit. Dy anëtarë të tjerë, ajo e Listës Serbe dhe kryetari i KQZ-së, kanë votuar për.
Megjithatë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëroi KQZ-në që të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
LVV-ja luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe komisioni zgjedhor nuk e kishte certifikuar atë fillimisht edhe asokohe.
Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.

