Kronike
“Nuk dal nga kulla jeme”/ Mustafa Lici u pyet në shtëpi, motra e tij bisedoi me ‘video-call’ me oficerët

–Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e Mustafa Licit, në lidhje me atentatin e ndodhur në 8 shtator në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa shënjestër dyshohet se ishte Erogen Vaso (Brajoviç), i cili mbeti i plagosur së bashku me kamarieren 25-vjeçare.
Sipas gazetarit Elton Qyno marrja në pyetje e Licit është zhvilluar në banesën e tij, pasi nuk ka pranuar të dalë nga shtëpia. Konkretisht oficerët e policisë kanë marë kontakt me kryefamiljarin e familjes Mustafa Lici, të cilit i kanë kërkuar të paraqitej në polici për arsye verifikuese. Por Mustafa Lici nuk ka pranuar të dalë nga ambjentet e shtëpisë, duke u përgjigjur “…Nuk dal nga kulla jeme…”
Nisur nga kjo situatë, një grup oficerësh janë drejtuar në banesën e tij në Kiras të Shkodrës, duke marë në pyetje Licin. Ky i fundit ka dhënë shpjegime mbi dinamikën e lëvizjeve që ka kryer në datën 7 dhe 8 nëntor si dhe arsyet e mungesës në banesë të dy djemve të tij, detaje të cilat ende nuk janë bërë publike.
Sa i përket banesës në Kiras, ku u gjetën armë dhe municione, të cilat i përkisnin, Barush Bregut, bashkëpunëtorit të autorit të atentatit, Lici ka pohuar se ka qenë e motrës së tij, por kjo e fundit e ka dhënë me qera. Lici ka deklaruar se motra e tij prej 5 vitesh ndodhet jashtë Shqipërisë, pasi ishte vendosur me banim në një qytet të një vendi të Bashkimit Europian.
Për të bindur oficerët e policisë Mustafa Lici, i ka telefonuar përmes aplikacionit “Whats app” motrës së tij, e cila më pas ka bashkëbiseduar me oficerët e policisë përmes një video-call (kamer). Motra e Mustafës, u ka shpjeguar oficerëve se banesën që ka në Shkodër e kishte dhënë me qëra në periudha të ndryshme në dy persona dhe ka preteduar se ka dhe kontratë noteriale. Për arsenalin e armëve dhe disa dronë modernë të sekuestruar në banesën e saj, Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim Barush Bregun, duke e akuzuar këtë të fundit si njeriun që ka furnizuar me armë, Ragip Gilën.

