Politike
“Stuhi në gotë nga dashakeqët që iu qan zemra për opozitën” – Mesila Doda sqaron largimin e saj nga PD

Deputetja e PDIU-së Mesila Doda ka bërë një sqarim në Facebook, e detyruar siç pohon, nga reagimet në rrjetet sociale mbi vendimin e saj për të dalë si deputete e pavarur.
Doda shkruan se është pjesë e opozitës dhe se çdo qëndrim i saj është i bashkërenduar me qëndrimet politike të PD-së.
Sipas saj, vendimi për të dalë e pavarur ka ardhur pasi nuk ka pasur mundësinë për të krijuar një grup të PDIU-së.
“Meqenëse po shoh një stuhi në gotë të ngritur nga soj soj mendjesh, jam e detyruar të bëj këtë sqarim. Në zgjedhjet parlamentare jam rregjistruar si deputete e PDIU-së, në koalicionin Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Në konfigurimin e ri të grupeve parlamentare kam mësuar që janë krijuar tre grupe dhe në pamundësi për të krijuar një grup parlamentar të PDIU-së, nuk jam rregjistruar në grupet aktuale, por jam pjesë e opozitës duke ruajtur identitetin e forcës politike që përfaqësoj. Nëse do kishte qenë një grup i përbashkët opozitar padyshim do isha pjesë e këtij grupi.
Kam qenë dhe jam në koordinim me kryetarin e grupit të PD për çdo aksion dhe qëndrim politik të opozitës.
Dashakeqëve që sot ju “qan” zemra për opozitën mund t’ju them se opozita nuk ka një deputet më pak e se qëndrimet politike opozitare janë krejtësisht të koordinuara. Të mos bësh pjesë në një grup parlamentar nuk të përjashton nga opozita”, shkruan Doda.

