Politike
Gara për Bashkinë e Tiranës, Boçi liston kandidatët potencialë të PD-së

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka hedhur dritë mbi emrat që përfliten si kandidatë potencialë të opozitës për zgjedhjet e ardhshme në Bashkinë e Tiranës.
Duke folur në një intervistë televizive, Boçi tha se ndër emrat e mundshëm janë: analisti Fatos Lubonja, mjeku Ilir Alimehmeti, deputetja Jorida Tabaku dhe deputetja Dhurata Çupi.
Ai theksoi se Tirana ka specifikat e saj dhe për këtë arsye kërkon një kandidaturë që të jetë e pranishme publikisht dhe me ndikim, por që gjithashtu të ketë edhe një dimension politik.
“Gjetja e zgjidhjes në këtë ekuacion me shumë faktorë të barabartë është disi jo e lehtë, por që do ketë një zgjidhje. Ka arsyetimet e veta çdo lloj formati i kandidatit.
Tirana ka specifikën e vetë pasi është një konglomerat prurjesh nga e gjithë Shqipëria, konglomerat shtresash, përfaqësues të botëve të ndryshme, të biznesit dhe shoqërisë dhe imponon edhe në situatën politike në të cilën jemi, një kandidat që të jetë më shumë në dimensionin publik i shfaqur, por jo mos të ketë dimension politik. Nuk po kërkoj zgjidhje të ndërmjetme, por nuk mund të gjesh një kandidat pa pasur një simpati apo angazhim politik.
Jo, ka dimensionin publik më të fortë se ai politik. Pra unë do preferoja këtë tipologji. Dimensioni publik i kandidatit të jetë më i madh se dimensioni politik, por jo një kandidat pa dimension politik. Politika të pajis me disa përgjegjësi.
Është e vështirë të themi virtyte, pasi ka më shumë që pajisen me vese. Por nuk është e vështirë që kanë virtyte politike dhe dimensione politike. Unë mbrëmë përshembull kam qenë në një debat dhe dëgjova emrin e Lubonjës. A ka dimension politik? Sigurisht që ka dimension politik, sepse e ka të mbartur nga historia e vet personale. Është zoti Alimehmeti, është zonja Tabaku, është zonja Dhurata Çupi”, tha mes të tjerash Boçi

