Bota
Shqipëria shpëton nga ‘luftrat’ me Azerbajxhanin, Trump shpik dhe ndalon konfliktin Armeni-Kamboxhia

Pas disa javësh deklaratash të pasakta mbi një konflikt mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë sërish bujë me një tjetër pohim të habitshëm. Gjatë një darke të organizuar nga Cornerstone Institute, ai tha se kishte ndërhyrë për të ndalur një luftë që, sipas tij, kishte nisur mes Armenisë dhe Kamboxhias. Deklarata u prit me habi, pasi nuk ekziston asnjë konflikt i tillë mes dy vendeve. Shqipëria, ndërkohë, mund të marrë frymë e qetë – për tani.
Gjatë një interviste të gjatë në emisionin “Fox and Friends” më 12 shtator, presidenti amerikan pretendoi se i kishte dhënë fund luftës midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë.
Kjo ishte hera e dytë që Trump bënte të njëjtën gafë. Në gusht, gjatë një interviste në “Mark Levin Show”, ai përmendi “paqen mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë”, ndërsa në fakt i referohej konfliktit në Nagorno-Karabakh mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
“E patë çfarë ndodhi në Azerbajxhan. Kishin 34, 35 vjet që luftonin me Shqipërinë. Dhe unë e ndalova atë luftë. Askush tjetër s’mund ta bënte”, u shpreh Trump me vetëbesim.

