Bota
Rrezik i lartë në aeroportin e Kopenhage/ Dronë mbi avionët, Danimarka e frikësuar për një sulm rus

“Pas dronëve që fluturuan mbi Aeroportin e Kopenhagës mbrëmë, gjë që çoi në pezullimin e përkohshëm të fluturimeve hyrëse dhe dalëse, “fshihet një aktor i aftë dhe përgjegjësia ruse nuk mund të përjashtohet”. Kështu pohojnë autoritetet daneze, të cilat kanë filluar hetimin e incidentit. Sipas policisë, një operacion i tillë mund të kryhet vetëm nga një strukturë e mirëorganizuar.
Në pamjet e publikuara shihen dronët teksa fluturojnë mbi avionët në pistën e aeroportit.
Në të njëjtën kohë, policia sqaroi se dronët pasi u identifikuan në ajër nuk u qëlluan për shkaqe sigurie.
“Aeroporti është një vend ku është më mirë të mos bien objekte në tokë. Kishim të bënim me dronë mjaft të mëdhenj dhe mbi një zonë ku ka depo karburanti, aeroplanë me pasagjerë në bord dhe pasagjerë në terminale”, shpjegoi zyrtari i lartë i policisë daneze, Jans Jespersen, gjatë një konference për shtyp, duke shtuar se besohej “se rreziku i një sulmi ndaj avionëve ishte shumë i lartë”.
Sipas Jespersen, nuk mund të përjashtohet që dronët të jenë pjesë e një sulmi hibrid rus.
“Do të ishte budallallëk të mos e mendonim këtë. Nuk mund ta përjashtoj që ky është problemi. As që ato të kenë ardhur nga një ose më shumë anije në Oresund ose Detin Baltik. Ky është një aspekt që është pjesë e konsideratave tona”, deklaroi zyrtari i policisë.
TV2 theksoi se gjeografikisht është e mundur që Rusia të dërgojë dronë mbi Kopenhagen, pasi nuk është larg enklavës së Kaliningradit dhe Shën Petersburgut. Për më tepër, vetëm në javët e fundit, disa raste të dronëve që shkelin hapësirën ajrore të NATO-s kanë ndodhur në Poloni dhe Rumani, ashtu si MiG-31 rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë.
Lidhur me fluturimet mbi Kopenhagen, policia daneze ka filluar diskutime me Shërbimin Norvegjez të Sigurisë (PST), pasi Aeroporti i Oslos hasi gjithashtu një problem me avionë të paidentifikuar të pilotuar nga distanca të hënën në mbrëmje.
Për kryeministren daneze Mette Frederiksen ky ishte sulmi më serioz ndaj infrastrukturës kritike në Danimarkë deri më sot. “Flet shumë për kohërat në të cilat jetojmë dhe atë që ne, si shoqëri, duhet të jemi të përgatitur të përballojmë”, shpjegoi ajo. “Sigurisht, nuk përjashtojmë asnjë mundësi se kush qëndron pas kësaj. Dhe është e qartë se kjo është në përputhje me zhvillimet që kemi parë kohët e fundit me sulme të tjera me dronë, shkelje të hapësirës ajrore dhe sulme hakerësh në aeroportet evropiane”, shtoi kryeministrja.

