Bota
“Kemi shkatërruar aksin terrorist të Iranit”/ Fjalimi i Netanyahut në OKB: Ne nuk harrojmë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, riktheu një hartë të titulluar “The Curse” (Mallkimi), të cilën, sipas tij, paraqet aksin terrorist të udhëhequr nga Irani.
“Ky aks ka kërcënuar paqen botërore, stabilitetin e rajonit tonë dhe vetë ekzistencën e Izraelit,” deklaroi Netanyahu.
Ai tha se gjatë vitit të fundit, Izraeli ka goditur rëndë grupet militante në Lindjen e Mesme, duke përmendur se ushtria izraelite ka “shkatërruar shumicën e makinerisë terroriste të Hamasit”.
Netanyahu shtoi se më e rëndësishmja ishte se Izraeli ka “dëmtuar rëndë programin iranian të armëve bërthamore dhe raketave balistike”.
Gjatë fjalës së tij, ai përmendi emrat e disa liderëve të lartë të Hamasit, Hezbollahut dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë, duke thënë se janë “të gjithë jashtë loje”.
Netanyahu u ndal më pas te sulmet e 7 tetorit 2023, të cilat i përshkroi me tone emocionale. Ai kritikoi komunitetin ndërkombëtar që, sipas tij, ka harruar shpejt masakrën ndaj civilëve izraelitë, por theksoi: “Ne nuk harrojmë.”
Ai mbante një distinktiv me një kod QR, për të cilin tha se përmban arsyen “pse luftojmë dhe pse duhet të fitojmë”.
Netanyahu tha se midis personave të marrë peng nga Hamas më 7 tetor ishin të mbijetuar të Holokaustit, gjyshër dhe fëmijë, ndërsa konfirmoi se 207 pengje janë kthyer në shtëpi, dhe se 20 nga 48 që ende mbahen në Gaza janë gjallë.
Ai lexoi emrat e këtyre 20 pengjeve, përpara se të dërgonte një mesazh drejtpërdrejt përmes altoparlantëve të vendosur nga ushtria izraelite në kufi me Gazën: “Nuk ju kemi harruar. Izraeli nuk do të ndalet derisa të sjellë në shtëpi të gjithë pengjet.”
Duke iu drejtuar drejtuesve të mbetur të Hamasit, Netanyahu bëri një thirrje të qartë: “Dorëzoni armët. Lironi pengjet. Po e bëni, do të jetoni. Nëse jo, Izraeli do t’ju ndjekë kudo.”
Ai më pas përdori disa tabela vizuale për të theksuar mesazhin e tij, duke bërë një “mini-kuiz” në sallën e OKB-së.
Në fund të fjalimit, Netanyahu tha se Presidenti Donald Trump e kupton më mirë se kushdo tjetër rrezikun e përbashkët që përballin Izraeli dhe SHBA.
Ai kritikoi faktin që, sipas tij, mbështetja ndërkombëtare për Izraelin ka rënë ndjeshëm që nga sulmi i Hamasit.

