Aktualitet
Ekzekutoi biznesmenin italian, autori i fshehur në pyll, policia kreh zonën mes Gusmarit dhe Nivicës

Një 44-vjeçar italian, i identifikuar si Edoardo Sarchi, është gjetur i vrarë me armë zjarri në fshatin Salari të Tepelenës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur Dilan mes Nivicës dhe Salarisë pak pas mesnatës.
Një person ka qëlluar me automatik teksa është shkëmbyer me automjetin që udhëtonte 44-vjeçari italian. Në fillim, ai ka qëlluar në drejtim të gomave dhe më pas në drejtim të tij. Italiani, i cili dyshohet se ka qenë në automjet me persona të tjerë, ka qenë duke lëvizur nga drejtimi verior në aksin rural Nivicë-Salari.
44-vjeçari rezulton administrator i një fabrike tullash e tjegullash në zonën e Laprakës në Tiranë, ‘Tegola Edilcentro’ dhe ndodhej në zonën ku ndodhi ngjarja për gjueti. Ende nuk dihen rrethanat e sakta të ngjarjes, por mësohet se policia ka identifikuar autorin e dyshuar.
Sipas gazetarit Piro Nase, autori i dyshuar njihet si përdorues i lëndëve narkotike, dhe dyshohet se është fshehur në zonën mes Gusmarit dhe Nivicës. Policia në bashkëpunim me drejtorinë vendore të Fierit dhe Vlorës, po ushtrojnë kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme.
“Rreth orës 00:30, në fshatin Salari, në vendin e quajtur “Dilan”, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi italian E. S., 44 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Vlorë, po ushtrojnë kontrolle në zonë dhe ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve.”, njofton policia.

