Kronike
Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë/ Zbardhet dëshmia e ortakut: Një person na doli para dhe qëlloi me armë

Detaje të reja vijojnë të dalin nga vrasja e biznesmenit italian, Edoardo Sarchi në fshatin Salari të Tepelenës. Bëhet me dije se viktima kishte dalë për gjah së bashku me tre persona të tjerë, përfshirë ortakun e tij Eqrem Braçe dhe djalin e këtij të fundit, Gazment Braçe. Siç raportohet ata kanë udhëtuar drejt vendit ku ndodhi ngjarja me dy makina, një mjet tip Land Rover dhe një Volkswagen, të cilat u gjetën në vendngjarje nga policia.
Gjithashtu ortaku i viktimës, Eqerem Braçe, i cili ndodhet në spitalin e Gjirkoastrës, ka deklaruar se një person i ka dalë para automjetit dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Ai është shprehur se ka tentuar t’i japë ndihmën e parë viktimës duke nxjerrë trupin nga automjeti dhe më pas ka njoftuar policinë.
Më tej Eqerem Braçe thotë se personi që i ka qëlluar është larguar në drejtim të paditur, dhe për shkak të errësirës nuk ka mundur ta identifikojë autorin. Po ashtu Gazment Braçe, djali i ortakut të viktimës, është shpallur në kërkim pasi ka qenë i pranishëm në vendngjarje, por është larguar.

