Aktualitet
Bashkëshortja e Alban Hoxhës humbi jetën pas lindjes, familja: 11 vite pa drejtësi, nuk do ndalemi

Familja e Doriana Hakës, gruas së portierit Alban Hoxha e cila ndërroi jetë vetëm 2 javë pasi solli në jetë djalin e tyre, kërkojnë drejtësi për vdekjen e së bijës.
Nëna e 25-vjeçares së ndjerë u shpreh se kanë 11 vite që presin drejtësi, duke theksuar “një fëmijë po rritet pa nënë”.
“Kemi 11 vite rresht që presim drejtësi pati një ballafaqim mes ekspertëve pyetje përgjigje, zgjati pak gjatë dhe u revoltova dhe fola në seancë të gjyqit, shpresoj që gjyqtarët ta marrin parasysh, më djeg shpirti, më dhemb zemra. Shpresoj tek një drejtësi e vonuar por jo e harruar. Dori im do drejtësi, një fëmijë që rritet pa nënë do drejtësi, ju lutem gjyqtar më shikoni, kam të drejtë prandaj kam kërkuar të merrem me gjykatat jo gjë tjetër, thjesht dua drejtësi, drejtësi pa fund”, tha Hamide Haka.
Enveri, babai i Dorjanës, thekson se gjykatat po e zvarrisin çështjen prej vitesh, megjithatë theksoi se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi.
“Kam 11 vite që robtohem nëpër gjykata, nuk di si ta shpjegoj. Presim nga gjykata e apelit të na jepet një drejtësi që nuk po na jepet, po na sorollatin, shty seanca, po bëhet 3 vjet tek Gjykata e Apelit. Dua vetëm drejtësi dhe nuk do ti ndahem këmba këmbës derisa të kem jetën, derisa të mbyll sytë, nuk e fal kështu, drejtësi vetëm drejtësi asgjë tjetër shikoj nga gjykata hap sytë vetëm nga gjyqtarët si po japin vendimin se 11 vite”, pohoi Enver Haka.
Avokati i familjes Haka, Bashkim Sulstarova deklaroi për News 24 se trupa gjykuese në Apel dëgjoi ekspertët dhe se pret një vendim të drejtë.
“Nga gjykata ne presim drejtësi ashtu siç pretendojnë edhe familjarët dhe kemi besim se trupi gjykues bazuar në provat që do të shqyrtojnë në një analizë të përgjithshme do të dalin në një përfundim të drejtë të bazuar në prova dhe ligj”, tha Bashkim Sulstarova.
Doriana Haka, bashkëshortja e portierit të Partizanit Alban Hoxha, humbi jetën nëntorin e viti 2014, dy javë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë.

