Connect with us

Kronike

Me tre urdhër-mbrojtje nga i biri, kush është 65-vjeçari që u gjet i vrarë (EMRI)

Personi që shihni në foto është Gjergj Tusha, i cili u gjet i vdekur mbrëmjen e kaluar pranë brigjeve të lumit Mat në fshatin Pllanë të Lezhës. Nga të dhënat paraprake dyshohet se fillimisht 65-vjeçari është dhunuar pasi ka plagë në disa pjesë të trupit dhe më pas është qëlluar me armë. Ndërkohë trupi i pajetë i është dërguar për ekspertizë të specializuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

Tusha ishte emër i njohur për policinë, pasi ishte pajisur tre herë me urdhër mbrojtjeje. Një nga pistat kryesore që grupi hetimor po heton është ajo krimit në familje, pasi 65-vjeçari ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje për shkak të problemeve me të birin.

Fillimisht në vitin 2022, Tusha kishte marrë urdhër mbrojtjeje për dhunë fizike dhe psikologjike, ndërsa në vitin 2023, i biri ishte arrestuar për dhunë. Tusha fillimisht u shpall i zhdukur mesditën e djeshme, pasi vajza e tij dënoncoi në polici se kishte humbur kontaktet me të. Më pas i moshuari u gjet i pajetë nga banorët e zonës në Tale të Lezhës.

“Lezhë / Informacion paraprak Rreth orës 14:40, në Sallën Operative ka telefonuar shtetasja A. Gj., duke njoftuar se kishte humbur kontaktet me babain e saj, shtetasin Gj. T., 65 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij. Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 17:30, në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë, është gjetur pa shenja jete shtetasi Gj. T. Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet nga armë zjarri.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, po kontrollojnë në zonë me qëllim kapjen e autorit/ve,” njoftoi Policia mbrëmjen e kaluar

Advertisement