Connect with us

Aktualitet

Dhunuan policin/ Gjykata e Tiranës lë në burg djalin e madh të Valbona Selimllarit

Deni dhe Kejni Selimllari dy vëllezërit që dhunuan policin, thyen kamerat e sigurisë dhe dëmtuan ambjentin e komisriatin nr 2, janë paraqitur sot përballë trupit gjykues. Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 21-vjeçarin Deni Selimllari si dhe ka vendosur masën detyrim paraqitje për vëllain e tij 18-vjeçarin Kejni Selimllari.

Dy të rinjtë u arrestuan mbrëmjen e 4 tetorit, pasi dhunuan një efektiv policie. Pas kësaj ata u shoqëruan në ambjentet e komisiariatit nr 2, ku thyen kamerat e sigurisë dhe kërcënuan punonjësit e komisariatit.

Njoftimi i Gjykatës së Tiranës:

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, me vendimin numër 2749 Akti , datë 06.10.2025, mori në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaj personave nën hetim D.S. dhe K.S.,  

Gjykata, me vendimin e saj, të shpallur dhe të arsyetuar në mënyrë të përmbledhur, pasi ka dëgjuar palët e pranishme në seancë, si dhe ka shqyrtuar të gjitha faktet, të dhënat, shpjegimet, qëndrimet, si dhe provat e paraqitura nga palët.

PËR  KËTO  ARSYE :

Gjykata bazuar bazuar në nenet 245, 259, 234 dhe 238 të K.Pr.Penale Gjykata,  […]

V E N D O S I :

Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasve D. S.dhe K. S. si të dyshuar për kryejen e veprave penale të “Goditje për shkak të detyës”, “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrim prone me dashje”, parashikuar nga nenet 237/3, 238/3, 150 dhe 25, të Kodit Penal.

Caktimin e masës sigurimi me karakter shtrëngues  ndaj shtetasit D. S., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj të arrestuarit K. S..

Detyrohet i arrestuari K. S. që në zbatim të këtij vendimi gjyqësor të paraqitet, pranë oficerit të policisë gjyqësore të martën e parë të cdo muaji, ora 11:00. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit K. S. nga dhomat e paraburgimit, nëse ai nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale apo për ndonjë dënim të dhënë me vendim gjyqësor.

Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Policia Gjyqësore, për ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm , duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar. U shpall në Tiranë sot më datë  06.10.2025.

Kjo nuk është hera e parë që djemtë e Valbona Selimllarit përfshihen në skandale të tilla, pasi në verën e këtij viti u përfol se Deni dhe Kejni Selimllari u përfshinë në një sherr masiv në jug të vendit. Sherri dyshohet se erdhi prej konflikteve të mëparshme për një vajzë. Në videon e publikuar asokohe, të rinjtë u shfaqën mes grushteve dhe shkelmave në një zonë të mbushur me turistë.

Deni Selimllari është kthyer prej kohësh në një figurë mjaft të ndjekur në rrjetet sociale, ku reklamon hapur një jetë luksi. Profili i tij në Instagram është i mbushur me foto mes makinave të shtrenjta, veshje firmato, ora të kushtueshme dhe udhëtime ekstravagante. Pamjet e publikuara tregojnë një të ri që nuk kursehet për të treguar çdo aspekt të stilit të jetesës së tij të shtrenjtë.

Advertisement