Bota
Kina po ‘gëlltit’ Siberinë: Rusia bëhet furnizuesi i lëndëve të para për Pekinin
Rusia po zhytet gjithnjë e më thellë në varësi ekonomike ndaj Kinës, ndërsa projektet e përbashkëta në Lindjen e Largët dhe Siberi po e kthejnë këtë rajon të gjerë në një bazë lëndësh të para për Pekinin, duke lënë pas dore komunitetet lokale.
Kështu thuhet në një raport të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Ukrainës, që paralajmëron për një penetrim të thellë ekonomik e demografik të Kinës në territorin rus.
Raporti përmend si shembull depozitën e qymyrit Zashulanskoye në rajonin e Transbajkalisë, që po shfrytëzohet nga një ndërmarrje e përbashkët midis kompanisë ruse En+ Group, dhe gjigantit shtetëror kinez Shenhua Group.
Që nga viti 2027, planifikohet eksporti i 5 milionë tonëve qymyr në vit drejt Kinës – ekuivalente me 500 kamionë në ditë.
Varësia ndaj Kinës, sipas inteligjencës ukrainase, po shtrihet edhe në turizëm dhe pasuri natyrore.
Në rajonin e Irkutsk-ut, autoritetet po zhvillojnë rrugë turistike për vizitorët kinezë, ndërsa biznesmenë nga Kina po blejnë toka dhe ndërtojnë hotele në brigjet e Liqenit Baikal, duke shtyrë bizneset vendase dhe duke e quajtur haptazi liqenin “të tyren”.
Raporti vlerëson se deri në dy milionë qytetarë kinezë jetojnë tashmë në Lindjen e Largët të Rusisë.
“Edhe simboli i pasurisë natyrore ruse – Baikali – po bëhet gradualisht pjesë e interesave ekonomike kineze. Kjo tregon se sa shumë ka humbur Moska kontrollin mbi rajonet e veta të burimeve natyrore”, përfundon raporti.