Kronike
“Doli nga makina me kapele dhe maskë”/ Detaje nga atentati në Rinas: Autori qëlloi me breshëri nga afër
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati mafioz i ndodhur pasditen e sotme pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, 47 vjeç, dhe u plagos rëndë 40-vjeçari Muçi Shaljani, i njohur si “Sheqeri”, aktualisht agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20, në rrethrrotullimin e Rinasit, vetëm 25 minuta pasi Dani dhe Shaljani ishin kthyer nga Barcelona, ku kishin udhëtuar më 7 nëntor dhe ishin rikthyer sot, në orën 13:55.
Dy të sulmuarit po lëviznin me një automjet luksoz “Benz” të bardhë, me targa AB 099 UO, të cilin e kishin lënë në parkimin e aeroportit gjatë udhëtimit të tyre. Sapo u larguan nga Rinasi, ata ranë në pritën e autorëve, që ndodheshin në një “Toyota” me targa greke.
Sipas hetimeve paraprake, autorët i kishin pritur pranë aeroportit dhe më pas të dy mjetet lëvizën paralelisht për disa qindra metra. Nga Toyota u qëllua me breshëri automatiku në drejtim të Benz-it, kryesisht nga ana e pasagjerit, ku ndodhej Dani.
Pasi automjeti i viktimave u godit me dhjetëra plumba, ai vazhdoi të lëvizte edhe për disa metra përpara se të ndalonte. Në atë moment, një nga autorët i maskuar dhe me kapele zbriti nga makina, iu afrua automjetit të viktimave dhe qëlloi disa herë nga afër me pistoletë, duke u siguruar që objektivi ishte eliminuar.
Më pas, atentatorët u larguan me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës, ku më pas u gjet makina e djegur tip “Toyota” , ku gjatë kontrollit, janë gjetur katër armë zjarri kallashnikov, të cilat dyshohet se janë përdorur në atentat.
Në ngjarje dyshohet se kanë marrë pjesë katër persona, 2 prej të cilëve atentatorët, njëri shoferi i automjetit tip ‘Toyota’ nga i cili ndodhi sulmi dhe një tjetër person që dyshohet se i ka pritur në fshatin Halil me një makinë tjetër, pasi dogjën makinën e atentatit.
Sakaq bëhet me dije se makina brenda së cilës u vra Gilmando Dani i përket Elvis Kosovës i njohur ndryshe si “Visi i Garave”.