Politike
Vokshi: Deklarata e Marta Kos, shumë larg të vërtetave, shqiptarët e dinë se ç’ndodhi në 11 Maj
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, ka komentuar deklaratën e Komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos, në krah të Edi Ramës lidhur me zgjedhjet e 11 majit, të cilat opozita shqiptare i cilëson si farsë elektorale. Vokshi u shpreh se Marta Kos duhet të lexojë raportin e OSBE-ODIHR, të cilit i përmbahet edhe Komisioni Europian, para se të flasë për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas saj, ‘njerëzit nuk shohin që ajo flet nga ana e saj personale sepse ka dëshirën që në një moment të caktuar ta mbështesë pafund dhe përtej limiteve Edi Ramën. Këtë mund ta bëjë personalisht jashtë funksionit të saj si komisionere, por nuk mund të ngatërrohen asnjëherë pjesa personale e dëshirës apo e ardhur nga lobimi, ardhur nga interesa të tjera, të ngatërrohen me funksionin e komisioneres’. Vokshi theksoi se është ‘një lajm i mirë që Komisioni Europian i ka vënë pikat mbi i dhe ka theksuar që siç e ka raporti i progresit, ai është qëndrimi i Komisionit Europian dhe ky raport pra thekson gjetjet e raportit final të OSBE-ODIHR-it’. Ajo shtoi se komisionerja Kos ‘e para duhet ta lexojë atë që është shkruar, nëse nuk e ka lexuar ende, po ja kanë thënë, dhe e dyta duhet të kërkojë ndjesë qytetarëve shqiptarë për një deklaratë që është shumë larg nga ajo çka ka ndodhur në zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe që bie ndesh me qëndrimin e Komisionit Europian’.
Sipas Vokshit, ‘votuesit shqiptarë, qytetarët shqiptarë e kanë ndjerë në kurriz atë që ka ndodhur në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Vota e tyre është blerë me paratë e taksave të tyre dhe këtu kujtoj bonuset e pensioneve, faljen e gjobave, prokurimet elektorale, tenderat elektoral’.
Ajo vuri në dukje se votuesit kanë ndjerë në kurriz edhe ‘sistemin monstruoz të patronazhimit, me intimidimin, me shantazhet, me kontrollin e votës, si dhe ndërhyrjen e bandave kriminale’.
‘Pra, një deklaratë jo e saktë nga ana e komisioneres Kos sigurisht që bën, bën jo pak dëm përsa i përket asaj situatës politike në Shqipëri, por është shumë larg nga e vërteta’, përfundoi deputetja e PD-së.