Aktualitet
Skene si ne filma/ Shqiptari i njohur si “mbreti i arratisjeve” zhduket nga burgu i sigurisë së lartë në Itali
Taulant Toma, një shqiptar që po vuante dënimin në burgun e Operas në Milano është arratisur nga qelia. 41-vjeçari, i cilësuar si person i rrezikshëm dhe me një histori kriminale që përfshin Italinë dhe Evropën, arriti të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë, duke prerë hekurat e qelisë dhe duke zbritur jashtë me çarçafë.
Sipas mediave italiane, shqiptari ka përfituar nga errësira dhe koha e ndërrimit të turnit të gardianëve të burgut për t’u arratisur. Toma, i njohur si “mbreti i arratisjeve”, është i dënuar për grabitje dhe vjedhje, ndërsa sfiduar disa herë forcat italiane të rendit dhe ato belge.
Ai ishte arratisur më parë edhe nga burgu i Parmës (gjithashtu një strukturë sigurie maksimale) me një tjetër shqiptar, i cili më vonë u vra nga një argjendar gjatë një grabitjeje vile. Toma ishte gjithashtu protagonist i një arratisjeje të bujshme në Belgjikë, ku autoritetet evropiane e kanë konsideruar atë një individ me rrezikshmëri të lartë për vite me radhë.
I arratisuri konsiderohet me përvojë në shmangien e kontrolleve dhe një rrjet kontaktesh që ende nuk janë verifikuar. Prefektura ka aktivizuar një plan gjithëpërfshirës kërkimi: patrulla, pika kontrolli, kërkime në fusha dhe zona industriale, si dhe kontrolle kufitare të brendshme. Dyshimet janë se Taulanti mund të tentojë të largohet nga Italia ose të bashkohet me grupe kriminale në Evropën Veriore