Kronike
Kallas thotë se përfshirja e të rinjve është “çelësi” për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi
Përfaqësusja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, derisa ka folur në seancën dëgjimore të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka komentuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe vështirësitë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd, shefja e diplomacisë evropiane pohoi se procesi ka ngecur për shkak të mungesës së një qeverie në Kosovë. Megjithatë, ajo theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ne duhet të punojmë me të rinjtë, sepse nëse ata që kanë lindur pas këtyre tragjedive ende mbajnë urrejtje, nuk mund të arrijmë kurrë normalizimin e marrëdhënieve”, deklaroi Kallas të martën, derisa nënvizoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve për të kapërcyer urrejtjet e së kaluarës dhe për të ndërtuar marrëdhënie për të ardhmen.
“Personalisht, jam duke i kushtuar shumë kohë kësaj çështjeje, edhe pse nuk duket sepse nuk është publike sikurse konfliktet e tjera, por unë jam duke punuar për këtë”, shtoi ajo në përgjigje të pyetjes së eurodeputetit kroat, Tonino Picula, i cili e pyeti kryediplomaten evropiane nëse është momenti për të rishikuar qasjen ndaj dialogut.
Ngërçi institucional në Kosovë dhe tensionet në Serbi kanë bllokuar tash e një kohë çdo lloj progresi në dialog. Në këtë situatë, përfaqësuesit e BE-së, kur pyeten rreth procesit, përsërisin se BE-ja do të presë raundin e ri të dialogut, sapo palët të sinjalizojnë gatishmëri dhe vullnet për të ecur përpara në normalizimin e marrëdhënieve.