Shkrime
Ylli Manjani: Lefter Koka u mbajt në burg për të kënaqur turmat
Pas katër viteve në burg, që prej 14 dhjetorit 2021, ish ministri i Mjedisit Lefter Koka është tashmë i lirë.
Vendim i gjyqtarit të GJKKO, Bib Ndreca, e ka shuar pengesën e fundit të Lefter Kokës drejt lirisë, masën e sigurisë për inceneratorin e Fierit.
Për këtë dosje, ish ministri Koka ndodhej në burg që prej 29 marsit 2022 dhe për GJKKO afati 3-vjeçar i paraburgimit që lejon Kodi tashmë ka kaluar dhe gjykimi i mëtejshëm duhet të vijojë në liri.
Për këtë vendim ka reaguar avokati Ylli Manjani, ky i fundit shkruan se Lefter Koka u mbajt në burg për të kënaqur turmat, për inceneratorët janë dënuar njerëz si “mish për top”.
Manjani shton se Lefter Kokës iu mor liria padrejtësisht, u burgos me kërkesën/kallëzimin e partisë ku kontribuoi prej vitesh.
Reagimi i Ylli Manjanit:
Dje përjetova një moment gëzimi.
Lefter Koka, një mik i mirë, pas një kalvari absurd legal fitoi lirinë e merituar. Ai u mbajt në paraburgim tej çdo afati ligjor, vetëm me arsyetimin se SPAK o drejtuar nga Dumani nuk mund të pranojë dështimin!!!
Ndoshta nuk ka qenë e rastit edhe fakti se përse pikërisht dje gjykata “u trimërua” për të zbatuar ligjin e shkruar….
Sidoqoftë unë i uroj miqsisht:
Ta gëzojë lirinë Lefteri!
Në bindjen time Atij iu mor liria padrejtësisht. U burgos me kërkesën/kallëzimin e partisë ku kontribuoi prej vitesh. Ai nuk u hetua, por u gjykua me thashethemet e atij kallëzimi. U gjykua më shumë jashtë sallave të gjyqit sesa në to.
Një rast tipik i gjyqit popullor motiv politik.
Lefter Koka as nuk i shpiku inceneratorët e as nuk i vuri flakën plehrave në këtë vend. Incenerimi ishte një vendimmarrje kolektive politike e të dyja partive që qeverisën në vitet 2013-2017.
Trajtimi i mbetjeve me PPP nuk ishte vendimmarrje e Lefter Kokës. As caktimi i buxheteve dhe e shpenzimi i tyre, nuk ishin detyrë e Tij.
Të paktën në Elbasan dhe Fier paratë publike për ndërtimin e tyre u provua se janë harxhuar korrekt, se inveneratorët janë aty, jo te oborri i Lefterit.
Ndërsa ndërtimi i invenerstorit në Tiranë, si kohë nuk i takon Lefterit se ai kishte ikur nga qeveri.
Lefteri u bë thjesht koka e turkut që duhej prerë për të ngopur mishngrënësit inantçorë që shihnin ëndërra me shumë lekë dhe që i zbardhnin në kallëzime penale.
Po përtej kësaj, tani që thuajse mbaruan gjykimet për inceneratorët a mori vesh njeri se çfarë ndodhi? Sa kishte apo jo pasojë kriminale dhe sa ishte dëmi i shkaktuar shtetit?
Apo mos u shfuqizuan si të paligjshme vendimet e marra?!
Unë nuk kam marrë vesh asgjë, nuk e di ju?!
Di vetëm që ka janë gjykuar njerëz krejt pa lidhje dhe për qejf të inatçorëve. Janë përndjekur penalisht njerëz, mish për top, që të gëzojë turma talebane.
Lefter Koka pagoi me lirinë e tij një kosto absurde, vetëm që të gëzonin inatçorët dhe turmat përkatëse.
U mbajt madje në paraburgim tej afateve ligjore për cv-në e mirë të SPAK.
Njerëz, mos u ndodhtë kjo që i ndodhi atij njeriu. Mund të mos jeni dakord me të, mund edhe ta urreni, por njerëzisht kuptojeni që të respektoni veten.