Rajon
Plenkoviç: Rafale-t e Serbisë janë më të dobët se ata të Kroacisë dhe NATO-s
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, deklaroi se avionët luftarakë të tipit “Rafale” që Serbia po blen nga Franca nuk kanë nivelin e pajisjeve dhe teknologjisë që posedojnë avionët e vendeve aleate të NATO-s, përfshirë Kroacinë dhe vetë Francën.
“Dallimet teknike janë mjaft të mëdha dhe të rëndësishme”, u shpreh Plenkoviç para gazetarëve në Zagreb, duke iu përgjigjur kritikave të presidentit kroat Zoran Milanoviç, i cili kishte thënë se Franca fillimisht ia shiti avionët Kroacisë, e më pas Serbisë, pa e konsultuar Zagrebin.
Lidhur me blerjen serbe të “Rafale”-ve, Plenkoviç tha se Serbia ka bërë zgjedhjen e vet, por nënvizoi se avionët që po merr Beogradi “nuk janë në nivelin e pajisjeve që kanë avionët e vendeve aleate të NATO-s – dhe Kroacia e Franca janë aleate”.
Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë një vizite në kazermën ushtarake në Nish, tha se Serbia do të bëjë gjithçka që Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë mjaftueshëm të forta për të ruajtur rolin e tyre si faktor parandalues ndaj çdo agresori të mundshëm.
“Kroacia ka një ushtri jashtëzakonisht të fortë, një forcë shumë e respektuar në rajon, e cila po armatoset me shpejtësi dramatike. Ne nuk flasim aq shumë për armatosjen tonë, por e di saktësisht çfarë duhet të bëjmë për të qenë një ‘arrë e fortë’ për ata që krijojnë aleanca në rajon”, u shpreh Vuçiç, duke iu referuar komenteve nga Kroacia për blerjen e avionëve francezë “Rafale” për Ushtrinë Serbe.