Pinknews
Shkëlqimi dhe rënia e Dolçe në BBVIP Kosova
Dolce, banorja që në natën e parë të Big Brother VIP Kosova u prezantua si një “Marilyn Monroe” moderne falë flokëve biond platin dhe bukurisë që rrezatonte, u shndërrua menjëherë në kryefjalën e këtij edicioni. Prezenca e saj skenike, eleganca dhe vetëbesimi e vendosën shpejt në qendër të vëmendjes së publikut.
Popullariteti i Dolce-s njohu rritje të ndjeshme edhe kur ajo nisi një romancë me Edin, duke krijuar një çift që jashtë shtëpisë u simpatizua gjerësisht. Dyshja u perceptua si një histori e pastër dhe e sinqertë, duke forcuar më tej pozitat e saj në lojë.
Shkëlqimi i saj shkoi edhe më larg kur u zhvendos për disa ditë në Grande Fratello, në një eksperiencë unike që rezultoi tejet e suksesshme. Brenda një kohe shumë të shkurtër, Dolce arriti të fitojë publikun italian, duke tronditur dinamikat e shtëpisë dhe duke u kthyer në një nga banoret më të preferuara. Pas përfundimit të kësaj eksperience, rrjetet sociale u mbushën me komente që kërkonin rikthimin e saj në versionin VIP, pasi për pak ditë ajo arriti të bëhej figura më e komentuar.
Efekti ishte i ngjashëm edhe pas rikthimit të saj në Big Brother VIP Kosova, por me një ndryshim të rëndësishëm: Dolce u nda nga Edi dhe vendosi të vazhdojë lojën si “single”, një vendim që u interpretua si përpjekje për të forcuar individualitetin dhe strategjinë e saj personale.
Megjithatë, dinamika ndryshoi rrënjësisht me hyrjen e ish-të dashurit të Albës, banore e cila që nga dita e parë i kishte dedikuar mesazhe të hapura. Drama mori përmasa edhe më të mëdha kur, vetëm pak ditë pas hyrjes së Limit, Dolce u përfshi në një raport të ri, të shoqëruar me skena të shumta puthjesh.Kjo kthesë e papritur bëri që brenda një jave të zbehej i gjithë shkëlqimi i Dolce-s. Nga një prej figurave më të pëlqyera të edicionit, ajo u shndërrua në një nga banoret më të kritikuara, duke u përballur me komente negative dhe madje edhe ofendime jashtë shtëpisë. Tashmë mbetet për t’u parë nëse, pas sqarimeve të pritshme në Prime-in e radhës, Dolce do të arrijë të rikuperojë mbështetjen e publikut apo nëse rënia e saj do të thellohet edhe më tej.