Connect with us

Bota

SHBA u bën thirrje amerikanëve të largohen urgjentisht nga Irani

Ambasada virtuale e Shteteve të Bashkuara në Iran ka lëshuar një njoftim urgjent sigurie, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Iran të largohen menjëherë nga vendi, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë.
Në paralajmërim theksohet se qytetarët duhet të kenë një plan largimi që nuk mbështetet në ndihmën e qeverisë amerikane, pasi anulimet dhe ndërprerjet e fluturimeve mund të ndodhin pa paralajmërim. Ambasada u ka kërkuar qytetarëve të kontaktojnë drejtpërdrejt linjat ajrore për informacion të përditësuar.
Në rast se largimi nga vendi nuk është i mundur, qytetarëve u këshillohet të qëndrojnë në ambiente të sigurta, brenda banesave të tyre ose në ndërtesa të përshtatshme, si dhe të sigurojnë rezerva ushqimi, uji, medikamentesh dhe pajisjesh bazë.
Autoritetet amerikane u kanë bërë thirrje gjithashtu që të shmangin demonstratat, të mbajnë profil të ulët dhe të tregojnë vigjilencë të shtuar në lëvizjet e përditshme. Qytetarët këshillohen të ndjekin mediat vendore për zhvillime të reja dhe të jenë të gatshëm të përshtatin planet e tyre sipas situatës.
Ambasada ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së komunikimit të vazhdueshëm me familjarët dhe të afërmit, si dhe mbajtjen e telefonave të karikuar për raste emergjente. Ky paralajmërim vjen në një moment tensionesh të larta mes SHBA-ve dhe Iranit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet diplomatike dhe ushtarake në rajon.

Advertisement