Politike
Kushtetuesja lë në fuqi pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku
Belinda Balluku pezullohet nga detyra. Pas një mbledhja maratonë, Gjykata Kushtetuese është ndarë 4-4 për kërkesën e kryeministrit Edi Rama për rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila vendosi më herët pezullimin nga detyra të zëvendëses së tij. Me votat barazim, kërkesa e Ramës nuk arriti të sigurojë pragun e nevojshëm, duke u konsideruar e rrëzuar.
Vendimi i Kushtetueses është miratuar mbrëmjen e së Premtes (6 shkurt 2026), pas një mbledhjeje maratonë mbi 10 orë.
Në 20 nëntor 2025, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e Prokurorisë (SPAK) për pezullimin nga detyra dhe ndalimin për daljen e saj jashtë shtetit të zv.kryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, pasi akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në vlerë mbi 200 milionë euro.
Pas këtij vendimi, kryeministri Edi Rama kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të shprehet nëse Gjykata e Posaçme ka ndërhyrë ose jo në kompetencat e tij si kryeministër, kur mori vendimin për pezullimin e ministres së kabinetit të tij.
Në 12 Dhjetor 2025, Gjykata Kushtetuese pezulloi përkohësisht efektet e pezullimit nga detyra të Ballukut, deri sa rasti të shqyrtohej në themel.
Në 16 Dhjetor 2025, Prokuroria e Posaçme, SPAK, i dërgoi Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë për deputeten dhe njëkohësisht ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Shumica socialiste ka bllokuar prej javësh mbledhjen e Këshillit Parlamentar të Mandateve dhe Imuniteteve, me justifikimin se do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese për ankimin e kryeministrit Rama mbi pezullimin nga detyra të Ballukut.
Ndërkohë, Balluku e ankimoi masat e caktuara nga shkalla e parë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.
Në 18 Dhjetor 2025, trupa e Apelit të posaçëm vendosi të lërë në fuqi masën e ndalimit për dalje jashtë shtetit ndaj Ballukut, ndërkohë që pezulloi pa vendimin kërkesën e zv.kryeministres për heqjen e masës së pezullimit nga detyra, deri në shqyrtimin e rastit nga Gjykata Kushtetuese.
Tashmë, me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, Belinda Balluku ka vendosur përfundimisht pezullimin e Ballukut nga detyra.
Pas këtij vendimi, tashmë pritet të shihet se si do të trajtohet çështja e zv.kryeministres në Këshillin e Mandateve në Parlament, e cila, duhet theksuar, është një procedurë tërësisht e ndryshme nga ajo që ka marrë në shqyrtim Gjykata Kushtetuese.
